Gjykimi ndaj të akuzuarit për atentat kundër kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, mund të shtyhet për një periudhë të gjatë. Kjo pasi që gjithçka në të cilën është mbështetur Prokuroria e Shtetit në ngritjen e aktakuzës është deklarata e një dëshmitari nga Shqipëria, që pretendon se është “vrasës me pagesë”.
Por ky dëshmitar ka dhënë vetëm një dëshmi në Prokurorinë Speciale dhe nuk është paraqitur më në gjykatë.
Prokuroria e Shtetit nuk po arrin të sigurojë prezencën e këtij dëshmitari, ndërsa pa siguruar këtë dëshmitar gjykimi nuk do të vazhdojë. Proceduralisht gjykata nuk mund ta detyrojë të dëshmojë një dëshmitar që nuk është shtetas i Kosovës nëse ai nuk ka vullnet.
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka paralajmëruar se është në prag të kërkesës që lënda të tërhiqet nga gjykata në Gjakovë dhe t’i transferohet ndonjë gjykate tjetër. Shkas ka thënë se ka marrë nga pasiviteti i kësaj gjykate në këtë rast. (Koha Ditore)