Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se Qeveria ka bërë punë të jashtëzakonshme me miratimin e Ligjit të Pagave dhe caktimin e koeficientit. Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve të opozitës, tha se koeficienti 105 euro është bazë, pa llogaritur shtesat, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se me Ligjin për Paga ka trajtim të barabartë të punonjësve të sektorit publikë.
Kusari – Lila ka akuzuar opozitën, për akuzat se nuk po shqetësohet Qeveria për qytetarët.
“Është kjo opozitë që kur kërkonte të ndërhynim në çështje të inflacionit, e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin për vendosje të çmimeve tavan për produktet bazë në tregjet e destabilizuara. Është kjo opozitë që nuk e pranon që ligji për tatim në pronë është miratuar në Kuvend në vitin 2018 dhe po i kërkohet një ministri që ta shkelë ligjin”, ka deklaruar Kusari – Lila nga foltorja e Kuvendit.
Ndërkohë ajo ka thënë se bashkërisht duhet punuar që të përmirësohen kushtet për standardin e punonjësve të sektorit privatë.
“Ky Kuvend e ka radhën të miratojë ligjin për pagën minimale, të rregullojë çështjen për inspektorët e punës, të rregullojë standardin për të gjithë të punësuarit dhe për mirëqenien për të papunët”, ka thënë Kusari-Lila.
Pasi që deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën, seanca është ndërprerë në mungesë të kuorumit.