Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se audio-incizimi që u publikua dje ku ajo dëgjohet duke biseduar me Milan Radojçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin e ShBA-së, është “fabrikim i plotë”.
Në seancën e Kuvendit, ajo ka paralajmëruar publikimin e disa fotove nga përurimi i shtëpisë së Radojiçiq e dhurata që thotë se u janë bërë fëmijëve të tij nga zyrtarë e udhëheqës. Në bisedën e publikuar, Kusari-Lila flet me Radojçiq për Ligjin për Pagën Minimale. Për këtë çështje, ajo sërish ka drejtuar akuza ndaj PDK-së
“Kjo çka ka dalë dje, është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojiçiqit. Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës. Imagjinoni kur dalin kush e ka vizitu e kush ka pas biznese”.
“Juve po ju them votimi në lexim të parë i Ligjit për Pagën Minimale ka ndodhë në maj të vitit 2022. Ju keni dalë jashtë, Lista Serbe ka hy brenda. Pyetja e vetme që ju kam bë Listës Serbe është pse jeni këtu”.