Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka njoftuar se kanë paraqitur në Kryesi të Kuvendit dy kandidatura për president të vendit: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka bërë të ditur se nuk do të ketë kërkesë për mbajtjen e seancës për votimin e presidentit gjatë ditës së premte, por ka thënë këtë do ta bëjnë brenda afatit kohor, duke shtuar se i kanë votat për zgjedhjen e Osmanit presidente.
“Kemi paraqitur dy kandidaturat. E para është Vjosa Osmani dhe i dyti Nasuf Bejta. Ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën brenda afatit kohor të paraparë”, tha ajo.
“Ne do të kemi zonjën Osmani presidente në momentin që kryhet procesi i votimit. Kemi të pohuar vullnetin e 80 deputetëve që i kanë thënë po kësaj çështjeje”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se kanë kërkuar që sot të ketë seancë të jashtëzakonshme për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, cila u mundëson diasporës votimin në ambasada të Kosovës.
“Është proceduar ligji që mundëson votimin e mërgatës në të gjitha ambasadës së diasporës. Si listë e LVV-së kemi dhënë betimin kryesor që Ligji i Zgjedhjeve do të jetë parësor, gjegjësisht kjo pjesë”, tha ajo.