Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në konferencën pas votimit të Projektligjit për Pagën Minimale, ka thënë se nuk kanë kërkuar vota nga Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se projektligji është për pagën minimale në sektorin privat.
Ajo ka thënë se VV-ja ka diskutuar vetëm me Grupin multietnik, por jo edhe me Listën Serbe për votimin e së martës.
“Në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë ku 68 prej tyre kanë votuar për ndërsa 8 ishin abstenime nga grupi multietnik, ne si pozitë kemi diskutuar vetëm me grupin multietnik, fatkeqësisht në mungesë të PDK-së ata e dërguan Listën Serbe që të japin këtë konotacion, pastaj u përcjellë edhe nga reagimi i shoqatës së veteranëve”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk ka kërkuar votën e Listës Serbe për miratimin në parim të Projektligjit për pagën minimale, dhe se Partia Demokratike e Kosovës është ajo e cila ka provokuar Listën Serbe, për të dhënë çështjes një konotacion politik.
“Si pozitë ne nuk kemi kërkuar votat e listës serbe dhe ka muaj që ata janë rreshtuar krah opozitës, atë e deklaruan edhe me votime, përderisa sot qëndruan vetëm për t’i dhënë hije të keqe një procesi në mënyrë që të jepet argumenti për partin e cila nuk kishte guximin të ishte vetë në sallë për të treguar kundërshtinë e vetë”.
Sipas Lilas, edhe pa votimin e Listës Serbe, rezultati do të ishte e njëjtë.
“Do të thotë më 74 deputetë që morën pjesë në votim, pa 12 të listë serbe ne do të ishim 62 deputetë, prej të cilëve 56 do të ishin me vota për dhe të tjerët në abstenime”.