Mimoza Kusari-Lila, deputete e Alternativës dhe anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se zgjatja e limitit maksimal të vjetërisë për veturat e importuara rrezikon jetën e qytetarëve të Kosovës.
Të martën, Komisioni për Zhvillim Ekonomik votoi pro ndryshimeve të ligjit duke propozuar zgjatjen nga 10 në 15 vjet për limitin maksimal të veturave të importuara. Kjo sipas Kusari-Lilës bëhet për interesa personale ekonomike.
Ajo ka thënë në Express Intervistën në KTV se është kundër këtij propozimi sepse është vlerësuar se ndotësit kryesorë të mjedisit janë gazrat që emetohen nga veturat. Sipas saj, ndotësit e tillë po e rrisin normën e sëmundjes së kancerit në vend.
“Pavarësisht se deputetët po thirren në standardin EURO, ne po e rrisim ndotjen dhe sasinë e mbetjeve inerte apo hekurishtet. Kosova po kthehet prapa në një proces që s’ka asnjë gjë të mirëfilltë as në shëndet as në ekonomi”, ka thënë ajo.
Sipas Kusari-Lilës, qeveria duhet të kërkojë nga komunat që të rregullojnë fillimisht trafikun urban dhe të bëjë zbritje të taksave për blerjen e veturave më të reja. Ajo ka thënë se me lejimin për importim të veturave më të vjetra, në Kosovë do të vijnë vetura me probleme teknike dhe që s’kanë siguri brenda, sikurse që kanë modelet e reja.
“Do të rrisim rrezikun e shkaktarit kryesor të vdekjes nga ambienti dhe nga aksidentet”, ka shtuar Kusari-Lila. “S’dua të hy në spekulime, por s’ka të bëjë me mënyrë të sinqertë të mbrojtjes së kësaj iniciative. Kjo është në dëm të shëndetit publik dhe s’ka arsye për ta mbrojtur këtë. Në vendet ku synohet ruajtja e ambientit duhet të ketë reduktim të veturave në përgjithësi. Inkurajohen biçikletat, motorët elektrikë dhe forma tjera, por jo ajo e makinave. Pos që s’kemi vend të mirëfilltë të mobilitetit si shtet e as si komuna, ne tash shkojmë në formë më të rrezikshme përmes qasjes më të madhe me makina. Do të rriten problemet sidomos në Prishtinë ku ka më shumë qarkullim”.
Sipas saj, shoqëria civile duhet të mbajë përgjegjës çdo deputet që voton pro këtyre ndryshimeve dhe duhet të kërkojë llogari nga ta.