Deputetja e Alternativës, që është pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari ka hyrë në një përplasje me kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me infektimin e tij nga Covid-19.
Në Frontal ajo thotë se se deklaratat e saj janë keqkuptuar dhe kërkesa e saj për dorëheqjen e Kryeministrit nuk ka të bëjë me infektim.
“Deklaratat e mija për dorëheqjen e z. Hoti janë keqkuptuar. Për mua dorëheqja e tij s’ka të bëj me infektimin e tij, uroj që të mos ketë asnjë rast tjetër askush”.
Ndërkaq ajo ka vazhduar ta kritikojë Hotin, që gjatë të dielës ishte në terren, e më vonë tregoi se ka bërë testin dhe ka dalë pozitiv.
“Në vend se t’i jap të gjithë informacionin e saktë, mbi kohën kur është ndje keq, ai vendos në mbrëmje pas një dite plot aktivitete në terren tregon që ka dalë më virus”, ka thënë Kusari.
Deputetja ankohet edhe për testimin e shpejtë të Kryeministrit, pasi Hoti tha se e ka bërë testin të dielën rreth orës 16:00, ndërsa pas disa orësh njoftoi në Facebook se ka dalë pozitiv.
“Hera e parë që dëgjojmë se në Kosovë testi është procesu për një orë, ose tri orë. Ajo nuk e liron nga përgjegjësia e rëndon ato. Unë di edhe persona që kanë ndërruar jetë, deri sa kanë kalu 48 orë familja nuk e ka ditë nëse ka vdekë nga Covid 19”, ka thënë ajo.
Sipas Kusarit, nuk ka qenë e nevojshme që Hoti të marrë pjesë në aktivitete që më shumë duken si fushatë
“Unë uroj të mos ketë persona tjerë, të infektuar atje në terren, numri ka qenë i madh, vetëm në përcjellje të tij, ka pas staf përcjellës asistent fotograf, mbrojtje të afër, këshilltar diku 30 vetë. Mos të flasim për ata që i kanë vizituar bizneset, vetëm ata e dinë a kanë mbajte maskë e distancë.Ata në foto shihen shumë afër njëri tjetrit në foto. Vizitat janë të panevojshme, në këtë kohë. Ai duhet të kujdeset në shikimin e furnizimin e menaxhimin e Spitaleve Rajonale me oksigjen, a e dini që ka dyshime të bazuara në mungesë të oksigjenimit”.