Kush e sulmoi shtëpinë e Adem Jasharit?

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 21:46 | Nga Ekonomia Online

Millorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”, sipas Prokurorisë Speciale, është personi që udhëhoqi sulmin kundër familjes Jashari në vitin 1998 në Prekaz.

Siç thuhet në aktakuzën e këtij institucioni, në shtabin e Ushtrisë së ish-Jugosllavisë ishte vendosur që shtëpinë e Adem Jasharit ta sulmonte “Legija” me njësinë e tij, pasi që nga fillimi i takimit, ai kishte thënë se ai do të sulmonte aty ku është vendi më i rrezikshëm dhe rezistenca më e rrezikshme, dhe për këtë “Guri” dhe Vllado Todoroviq e kishin njoftuar se shtëpia më e rrezikshme ishte shtëpia e Adem Jasharit, e pas kësaj “Legija” kishte thënë se ai do të sulmojë në atë drejtim.

“Legija”, si udhëheqës i njësisë speciale, komunikonte direkt me Sllobodan Millosheviqin për të koordinuar veprimet në terren.

Në një moment kishte edhe përçarje në grup.

“Milorad Ulemek ‘Legija’ kishte qenë shumë i shqetësuar dhe në kraharor mbante dy radiolidhje. Në njërën radiolidhje qartë dëshmitari e kishte dëgjuar fjalinë të cilën ‘Legija’ e kishte transmetuar përmes radiolidhjes, ‘a nuk po më lejon të bëj ashtu siç unë mendoj, atëherë unë në këtë moment kthehem për Beograd’, dhe sipas dëshmitarit, i njëjti kishte komunikuar me Sllobodan Millosheviqin apo me udhëheqësin e sigurimit shtetëror”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për 35 të akuzuarit për krime lufte, janë paraqitur edhe me skica se si u rrethua nga të gjitha anët lagjja e familjes Jashari në Prekaz, para se të ndodhë sulmi me 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Poashtu prokuroria ka zbuluar edhe mënyrën se si funksionuan njësitë policore dhe ushtarake serbe, në atë zonë të Kosovës. /Klankosova.tv

Të ngjashme