Pas dorëheqjes së Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë kanë qarkulluar në rrjet disa reagime interesante, ku shumë prej tyre po kërkojnë kthimin e Arben Vitisë në udhëheqjen e këtij dikasteri, i cili si duket ka probleme të mëdha dhe të dukshme.
Disa gazetarë e analistë po vlerësojnë se kthimi i Arben Vitisë do të ishte zgjidhja më e mirë si ministër i Shëndetësisë, duke e vlerësuar lart punën dhe angazhimin e tij paraprak.
Xhevdet Pozhari, analist i çështjeve politike, ka lavdëruar ish-Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se shëndetësia nuk ka pasur kurrë ministër më të përkushtuar.
“Shëndetësia nuk ka pasur kurrë Ministër më të përkushtuar. Dhe, dyshoj se do të ketë edhe në të ardhmen. Arben Vitia e ka ngritur standardin e angazhimit qeveritar në tjetër nivel”, ka thënë Pozhari.
Megjithatë ky i fundit i pyetur nga mediat ka mohuar se do të jetë ministër i Shëndetësisë teksa nuk kishte informacione se Latifi është dorëhequr.
Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës theksoi se ka plane të tjera sa i përket jetës politike dhe personale.
Derisa me dorëheqjen e Latifit ka ironizuar, Imer Mushkolaj.
“Me largimin e Rifat Latifit nga posti, Kosova ka mbetur me një turist më pak.”, ka shkruar ai.
E deputeti i VV-së, Arban Abrashi e ka komentuar ndryshe dorëheqjen e Latifit, duke theksuar se ende nuk ka parë asgjë zyrtare.
“Jam ithtar i asaj që duhet ta presim një qëndrim zyrtar të qeverisë sa i përket kësaj çështjeje. Duhet të na bëhen zyrtarisht arsyet e dorëheqjes. Kishte filluar një anarki të informacioneve të pakonfirmuara”, ka vijuar Abrashi.
Por deputeti nga GUXO, Burim Meta, me anë të një postimi në Facebook, ia ka kërkuar publikisht Kurtit pozitën e ministrit që kësaj radhe t’i takoi atyre.
“Edhe sa Ministra te Shendetesise duhet te nderrohen, qe ky pozicion ne fund ti takoj GUXOs !?”, ka shkruar ai.
E sic dihet sot në orët e pasditës Rifat Latifi ia ka dorëzuar dorëheqjen përmes në letre zyrtare kryeministrit Albin Kurti.
Derisa deri tani ende nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga kabineti qeveritar lidhur më këtë dorëheqje.
Por se kush do të emërohet kësaj radhe nga Kurti, pritet të shihet, a do të kthehet Arben Vitia, apo në rrjet si në të kaluarën është përfolur edhe emri i nënkryetarit nga GUXO, Haxhi Avdyli.