Alice Albright, bija e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright që ndërroi jetë tre muaj më parë ishte në qendër të nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si shefe e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright bashkë me ministren e Ekonomisë së Kosovës hodhën firmat në ujdinë mbi 200 milionë dollarëshe për energjinë elektrike në Kosovë.
Në ceremoninë që u mbajt në Kongresin amerikan ku ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti
dhe kongresmeni dhe kryetari i nënkomitetit të Dhomës së Punëve të Jashtme për Evropën dhe Azinë në Shtëpinë e Bardhë, Bill Keating, Albright edhe një herë e dëshmoi përkushtimin dhe angazhimin e nënës së saj për Kosovën.
Ajo tha se komponenti kryesor i investimit është ruajtja e baterive në shkallë të gjerë.
“Ai do të rrisë fleksibilitetin në rrjetin e vendit, do të zvogëlojë koston e sigurimit të energjisë elektrike adekuate dhe duke e bërë këtë, do të ndihmojë në mbështetjen e sigurisë energjetike të Kosovës”, është shprehur Albright.
Në fund, ajo tha se mezi pret të punojë me të gjithë, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme dhe më të qëndrueshme për popullin e Kosovës.
Ndryshe Alice Albright është kryeshefe ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Aty ajo ofron udhëheqje strategjike dhe vizion për agjencinë duke ndihmuar në arritjen e prioriteteve programore.
Albright ka më shumë se 30 vjet përvojë ndërkombëtare në sektorin privat, jofitimprurës dhe publik.
Ajo ka qenë kryeshefe ekzekutive e Sekretariatit të Partneritetit Global për Arsimin dhe shërbeu në administratën e Obamës nga 2009 – 2013 si zëvendës presidente ekzekutive dhe kryeshefe operative e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM).
Përpara EXIM, Albright mbante role drejtuese në Aleancën Globale për Vaksinat dhe Imunizimet (GAVI) dhe punoi si bankiere me fokus në tregjet në zhvillim.