Një 31-vjeçar u arrestua dhe u dërgua në mbajtje gjatë ditës së djeshme pasi u denoncua në Polici nga bashkëshortja për dhunë fizike e psikike. Sinjali raportoi sot se një grua nga fshati Trudë i Prishtinës e raportoi rastin në Polici, pas shumë kohësh përjetime të dhunës në familje.
Burimet e Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu që u arrestua nën dyshimet për dhunë ndaj gruas është Zijadin Shala, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalim prej 48 orësh.
Detajet e rastit
Shala dyshohet se disa herë e ka sulmuar bashkëshorten e tij, por e njëjta nuk e kishte denoncuar asnjëherë në Polici, me shpresën se problemet do t’i zgjidhnin. Por një gjë e tillë nuk funksionoi, pasi konflikti mes tyre kulmoi gjatë ditës së djeshme, ku gjatë debatit, i dyshuari i është drejtuar viktimës me fjalët “shko te nëna jote”.
Në rrëfimin e dhënë para hetuesve policorë, ajo ka treguar se si burri shumë herë e ka sulmuar duke e kapur për fyti, por që ajo asnjëherë nuk e ka raportuar. E shqetësuar për problemet në familje, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia, për të parandaluar ndonjë të keqe më të madhe që mund t’i ndodhë.
Përveç raportimit për dhunë, gruaja ka deklaruar në Polici se burri i saj posedon edhe armë, të cilën ia ka parë para disa ditëve dhe i ka shkaktuar frikë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Gjatë deklarimit të tij, i dyshuari ka thënë se motivi i konfliktit me gruan e tij është xhelozia dhe e ka mohuar kategorikisht t’i ketë shkaktuar dhunë.
Megjithëkëtë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti “dhunë në familje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata.