Haakon bëhet mbret i Norvegjisë pas vdekjes së babait të tij
Princi i Kurorës Haakon u bë të premten mbret i Norvegjisë, pas vdekjes së babait të tij, Harald, në moshën 89-vjeçare.
Monarku i ri 53-vjeçar ka shërbyer në marinë dhe ka studiuar politikë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, si dhe studime zhvillimore në London School of Economics.
Ai njihet edhe për pasionin ndaj muzikës dhe sërfit, shkruan Reuters.
Haakon është i martuar me Mette-Marit Tjessem Høiby, të cilën e takoi në vitin 1999. Martesa e tyre shkaktoi reagime në atë kohë, pasi Mette-Marit ishte nënë beqare dhe kishte një djalë nga një lidhje e mëparshme.
Djali i saj, Marius Borg Hoiby, në qershor u shpall fajtor për dy akuza për përdhunim dhe një për dhunë në familje dhe u dënua me katër vjet burg. Si ai, ashtu edhe prokuroria kanë apeluar vendimin.
Haakon ka qëndruar pranë bashkëshortes së tij gjatë kësaj periudhe, ndërsa ka thënë se Høiby duhet të përballet me drejtësinë si çdo qytetar tjetër.
Mbreti i ri pritet të mbajë emrin Haakon, ashtu si babai i tij, duke u bërë Haakon VIII i Norvegjisë.
Megjithatë, vendimi përfundimtar për emrin do të bëhet i ditur në ditët e para të mbretërimit.
Pas tij në vijën e trashëgimisë është vajza e tij, Princesha e Kurorës Ingrid Alexandra, 22 vjeçe, e cila pritet të bëhet një ditë mbretëresha e parë e Norvegjisë në kohët moderne. Që nga reformat e vitit 1990, në trashëgiminë e fronit përparësi ka fëmija i parë, pavarësisht gjinisë.