Nga koha kur ‘lusnim’ lojtarët që t’i bashkoheshin kombëtares sonë të re, kemi ardhur një një pozitë ku tashmë lojtarët po dëshirojnë t’i bashkohen grupit tonë.
Kosova po kalon në një periudhë të jashtëzakonshme në sferën e futbollit, në ndjekje të ëndrrës për kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020.
Kombëtarja Dardane niste kampanjën e saj të parë zyrtare në kualifikimet për Botërorin 2018, kur asokohe shortohej në grupin thuajse më të vështirë, për të marrë vetëm një pikë në gjithë rrugëtimin e saj, kur udhëhiqej nga Albert Bunjaki, shkruan lajmi.net.
Bunjaki, trajneri i cili instaloi mentalitetin ofensivë në skuadrën kombëtare, ndonëse nuk arriti rezultate pozitive në kualifikimet për botëror, ai është më meritori pse Kosova sot gëzon një fond me lojtarë të jashtëzakonshëm.
Një nga emrat që kishte ftuar Bunjaki ishte edhe Necip Uysal, anëtar i Besiktas që tanimë mban shiritin e kapitenit. Uysal raportohej të kishte pranuar ftesën e selektorit kosovar, por si në mister, paraqitja e tij me kombëtaren dardane nuk ndodhi kurrë.
Së fundmi, raportohet se lojtari ka ringjallur interesimin për të përfaqësuar Kosovën. Agjenti i lojtarit është angazhuar që të pajiset me pasaportë kosovare. Por, kush është Necip?
Necip Uysal është një 28 vjeçar, i lindur në Turqi, por me prindërit e tij që kanë prejardhje nga Kosova dhe këtë fakt lojtari e shfaq edhe në ‘Instagram’, ku mban flamurin e Kosovës krahë atij të Turqisë.
Karrierën e tij e ka nisur me skuadrën amatore Bosnaspor, në vitin 2001, ku kaloi tri vite, para se të merrte vëmendjen e Besiktas. Debutimin në Superligën e Turqisë lojtari e bëri tek në vitin 2009/10.
Gjatë karrierës së tij me Besiktas, Uysal ka regjistruar 303 paraqitje, ku ka shënuar 5 gola. Numri i golave është i vogël, por pozita natyrale e Uysal është mesfushor defensivë.
Momentet më të mira me Besiktas:
Sa i përket karrierës me kombëtare, lojtari është aktivizuar 16 herë me Turqinë U-18, 15 herë me Turqinë U-19, 20 herë me Turqinë U-21 dhe vetëm një herë me seleksionin A të turqve, në vitin 2010.
Me telashet e fundit të Kosovës në mesfushë, me Herolind Shalën dhe Hekuran Kryeziun të lënduar, si dhe Besar Halimin të suspenduar, a mendoni se Necip Uysal meriton të grumbullohet për ndeshjet e tetorit?