Më 11 shtator 2001, Andrew Card i tha ish-presidentit amerikan, George W. Bush se atë ditë kishte ndodhur një sulm terrorist që do të ndryshonte botën.
Card ishte shefi i zyrës së Bushit dhe kishte përgjegjësinë t’ia komunikonte lajmin se çfarë po ndodhte. Ai e bëri këtë në një kohë kur presidenti po vizitonte një shkollë fillore në Florida.
Atëherë Bush ishte ulur në klasë duke lexuar librin “Dhia e përkëdhelur” për nxënësit. Ai u tha më parë se një aeroplan i vogël ishte përplasur në njërën nga dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë (WTC) në New Yorkut, raporton cnbc.
“Mendova për atë që do të thosha, dhe pastaj hapa derën, iu afrova presidentit dhe i pëshpërita në veshin e djathtë, ‘Një aeroplan tjetër goditi një kullë tjetër. Amerika është duke u sulmuar’. Unë shikova presidentin dhe sinqerisht mendoj se ai në ato momente po mendonte për barrën që mori përsipër duke bërë betimin presidencial. Unë do të thoja se ishte momenti kur ai u bë president”, tha ai.
Bush vazhdoi të lexonte librin dhe Cardit i bëri përshtypje se presidenti nuk kishte bërë asgjë që mund të shkaktonte frikë tek studentët.
“Ai nuk shfaqi frikë as para mediave, e cila do të të kënaqte terroristët në të gjithë botën”, shtoi ai. Card beson se SHBA ka harruar atë që mësoi nga ky sulm.
Kujtojmë se 2,750 njerëz u vranë në sulmin terrorist mbi ndërtesat e Kullave Binjake ndërsa 189 persona u vranë në sulmin në Pentagon në të njëjtën ditë. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar organizatën terroriste al-Qaeda, të udhëhequr nga Osama bin Laden, për kryerjen e sulmit.
Në muajin tetor të vitit 2001, filloi ndërhyrja ushtarake amerikane në Afganistan, sepse pretendohej se regjimi i tij taleban mbështeste terroristët.