Policia amerikane e ka identifikuar si Stephen Paddock njeriun që vrau të paktën 50 persona dhe plagosi më shumë se 200 të tjerë në një festival muzikor në Las Vegas, në incidentin më të rëndë me të shtëna në histori të SHBA-së.
Stephen Paddock, 64-vjeçar, u vra nga oficerët e policisë gjatë sulmit, transmeton Express.
Disa pushkë janë gjetur në dhomën e tij në katin e 32-t të hotelit “Mandalay Bay”, nga ku ai ka zbrazur shumë karikatorë mbi pjesëmarrësit në koncert, shkruan Guardian.
Paddock është përshkruar si vetmitar (ka vepruar i vetëm në sulm) dhe pa ndonjë lidhje me grupet terroriste. Motivet e tij nuk dihen.
Policia në Mesquite, ku shtëpia e Paddock është duke u bastisur, thotë se ai nuk ka pasur histori krimi.
“Nuk dimë shumë për Paddock. Ai jetonte në qytetin tonë. Ne si zyrtarë ligjorë nuk kemi pasur kontakt me të në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Policisë në Mesquite, Quinn Averett.
Në këtë departament nuk ka asnjë raport rreth Paddock, asnjë arrestim e madje asnjë rekord për ndalje në trafik.