Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur, Përparim Rama për kryetar të komunës së Prishtinës.
Por kush është Përparim Rama?
Përparim Rama, i lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës. Është edhe ligjërues në universitete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’.
Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë. Është i martuar me Kristale Rama dhe ka tre fëmijë.
Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë.
Njihet për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë.
Veprat e Përparim Ramës kanë bërë që për arkitektin kosovar të interesohen edhe mediat më të mëdha botërore, CNN e Bloomberg dhe shumë të tjera.
Në një rrëfim për CNN, Rama kishte folur për historinë e tij të largimit nga Kosova, luftën dhe zhvendosjen e tij në kryeqendrën e Britanisë së Madhe.
“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, ka treguar Përparim Rama për CNN.