Netta është fituesja e Eurovisionit për këtë vit. Kënga e saj e rrymës pop është frymëzuar nga lëvizja #MeToo dhe është bërë enkas për të promovuar fuqizimin e femrës.
Kënga u bë mjaft e famshme falë imitimit të pulës gjatë vijës muzikore dhe të shumtë ishin ata që e cilësuan si vajza-pulë.
Por, kush është Netta Barzilai?
Netta Barzilai është nga Hod HaSharon, Izrael. Ajo është muzikante 25-vjeçe dhe deri në moment të fundit ishte kandidatja e dytë pretendente për të fituar Eurovisionin.
Ajo performoi këngën “Toy”, të cilën e këndoi e vetme. Kënga mori miliona shikime në YouTube përpara nisjes së shfaqjes.
“Kënga ka një mesazh të rëndësishëm. Zgjimi i fuqisë femërore dhe drejtësisë shoqërore, i mbështjellë me vibrime të lumtura dhe shumëngjyrëshe përçohet gjatë gjithë këngës”, ka thënë Netta.
Duke folur për zërat e pulës që bëhen gjatë këngës, e reja tha për Wiwibloggs se “zërat supozohen të imitojnë zërin e një frikacaku, të një pule, dikush që nuk vepron si e ndjen dhe që të trajton si lojë”.
Kënga e Nettës hapet me fjalët “Më shikoni, jam një krijesë e bukur”.
Vitin e ardhshëm Eurovisioni do të mbahet në Jerusalem.