Policia e Kosovës, ka konfirmuar se është gjetur i vdekur ish-prokurori Agron Matjani.
Sipas policisë Matjani është gjetur i vdekur në banesën e tij në banesën e tij në Prizren nga familjarët e tij.
Lajmin e ka bërë të ditur për Insajderin, zëdhënës i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj.
“Policia rajonale në Prizren mbrëmë e ka konstatuar një rast si vdekje të dyshimtë, në bazë të njësimit që kanë bërë familjaret e tij, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren”, tha Osmanollaj.
Kush ishte prokurori Agron Matjani?
Me 5 nëntor të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pati ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Agron Matjani.
Ai dyshohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Sipas prokurorisë Matjani në cilësinë e personit zyrtar, pra si Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me dashje e ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit.
Matjani sipas prokurorisë akuzohej pasi në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar- prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.
Me 22 nëntor në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Matjani e pati mohuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej nga Prokuroria.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale, Merita Bina-Rugova, ish-prokurori Matjani kishte deklaruar se nuk e kishte të qartë aktakuzën.
“Aktakuzën nuk e kam të qartë. Thuhet me qëllim të ofrojë dobi materiale, kush i shqipton dënimet a unë i shqiptoj a, unë nuk e kuptoj këtë pjesë”, ka deklaruar i akuzuari.
Ai madje pati kërkuar, nga gjykata t`i caktohej një avokat sipas detyrës zyrtare “për shkak se kam probleme shëndetësore dhe jam i papunë”, pati thënë ai.
Agron Matjani, në atë kohë prokuror në Departamanentin e Krimeve të Rënda në Gjakovë ishte suspenduar nga puna. Suspendimi kishte ardhur për shkak të fyerjeve që ai i kishte bërë një prokurori tjetër në Prizren.
Matjani ishte hetuar edhe për një vepër tjetër, që ka të bëjë me kërcënim ndaj gruas së vëllait të tij.
E dëmtuara me inicialet S.M e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, në ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.
Vesel Gashi, zëdhënësi i Policisë në Prizren, e pati konfirmuar se S.M kishte paraqitur rastin në polici si kanosje.