Gazeta franceze L’Opinion sot në një shkrim rreth Gjykatës Speciale për aktakuzën ndaj Presidentit Thaçi ka bërë me dije se prokurorët që kanë dorëzuar aktakuzë janë prokurorë amerikanë.
“Më në fund, Jack Smith (Kryeprokurori), me ndihmën e zëvendësve të tij Alan Tieger dhe Alex Whiting, përfundon duke i thirrur të dyshuarit e parë dhe dëshmitarët në Hagë në fillim të 2019”
Për këta dy porokurorë ditë me parë ka folur edhe Avokati serb Tomislav Visnjic, i cili ka thënë se krejt ekipi i Prokurorisë së Gjykatës Speciale përbëhet nga amerikanët.
Ai ka thënë po ashtu se publikimi i njoftimit nga Haga, pa u konfirmuar aktakuza, deri diku është i pazakonshëm, sepse sipas tij hetimet dhe të gjitha dokumentet zyrtare janë sekrete dhe mund të publikohen vetëm kur aktakuza të konfirmohet.
Sipas Visnjic, Gjykata Speciale ka një rregull që bën përjashtim se kur mund të publikohen të dhëna nëse për këtë ka arsye potenciale. E këtë prokuroria e ka bërë me arsyetimin se Thaci e Veseli i kanë penguar hetimet, ka vlerësuar ai.
Visnjic ka thënë se ekipi i prokurorëve është kryesisht i përbërë nga amerikanët përfshirë edhe kryeprokurorin.
“Ai (kryeprokurori), ka provuar t’i mbledhë të gjithë amerikanët nga Tribunali (ICTY). Njëri nga ndihmësit Alan Tiege ka udhëhequr hetimet ndaj Radovan Karaxhiqit. Shefi i ekipeve të prokurorisë është Alex Whiting, profesor nga Harvvardi dhe një kohë prokuror kryesor në rastin e Fatmir Limajt” ka thënë Visnjic.
Ky avokat serb po ashtu ka thënë se për këtë arsye kjo prokurori është e kualifikuar të ndërmarrë veprime të tilla.
“Është një ekip respektabil që shtyn fuqishëm përpara atë që e ka menduar. Kjo nuk është befasi. Historia e kohës (së shpalljes së aktakuzave), është mjaftë e pasur në rastet padive ndërkombëtare, neve kjo na ka ndodhur në dy raste. Aktakuza kundër Millosheviqit Shainoviqit, Ojdaniqit, Milutinoviqit dhe të tjerëve, ishte bërë publike me 25 maj 1999, gjatë ose pak para fillimit të bisedimeve paqësore për Kosovën, që përfunduan më 10 qershor” thekson ai.
Në një proces tjetër, thotë se me 25 korrik të vitit 1995 ishte publikuar aktakuza kundër Karaxhiqit dhe Mlladiqit, ndërsa në tetor të atij viti kishin filluar negociata në Dejton.
“Koha e publikimit definitivisht është e ndërlidhur me diçka që do të ndodhë në të ardhmen” ka thënë ky avokat duke komentuar zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale.