Kush mban peshën për vrasjet e grave në Kosovë, mendësia patriarkale apo dështimi institucional?

Prishtinë | 07 Dhj 2022 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Dhuna në baza gjinore, e ajo më e keqja, vrasja e grave po vazhdon të mbetet si dukuri shqetësuese në Kosovë, ndërsa për parandalimin e saj duket se nuk po veprohet me seriozitet, derisa ky fenomen po vazhdon të mbetet shqetësues edhe më tej në opinionin publik. Se nuk ka angazhim serioz institucional ndaj kësaj dukurie, e cila dita-ditës po merr përmasa shqetësuese, duket nga fakti se vetëm në një javë kanë ndodhur 2 vrasje të grave e ku të dyshuar për këto krime janë bashkëshortët e tyre.

Përveç shoqërisë dhe institucioneve deklarativisht “shqetësuese” dhunën në familje dhe vrasjen ndaj grave e shohin edhe psikologu Islam Borinca, si dhe sociologu Jeton Brajshori, të cilët përgjegjësinë kryesorë “ia mveshin” institucioneve të Kosovës, si dhe mendësisë patriarkale.

“Dhuna në familje po vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Kosovë, si rezultat i mentalitetit patriarkal që meshkujt kosovarë vazhdojnë ta kenë, pastaj presioni social që femrat kanë që të martohen dhe të krijojnë familje, mosmbështetja e duhur për edukim dhe pavarësi individuale është arsyeja kryesore që disa meshkuj mendojnë se femrat janë pronë e tyre”, thotë psikologu Islam Bornica për Gazetën InLajmi.

Borinca thekson se mungesa e edukimit dhe profesionalizmit në organet kompetente është një problem kryesor, prandaj edhe “dështohet” në mbrojtjen e viktimës.

“Mungesa e edukimit dhe profesionalizmit adekuat në organet kompetente që merren me raste të dhunës familjare është një problem kryesor. Një femër që denoncon apo raporton dhunën familjare në vend që të mbështetet, ajo riviktimizohet. Do të thotë, është një rreth vicioz, fillimisht dhuna apo viktimizimi ndodh në familje, pastaj riviktimizimi e mosmbështetja nga familja dhe organet kompetente e rëndojnë situatën”.

Sipas psikologut Borinca, thelbi i problemit të dhunës ndaj gjinisë femërore është mendësia patriarkale e shoqërisë shqiptare.

“Femra në shoqërinë shqiptare trajtohet si “qenie jo e barabartë”, e cila duhet të fokusohet në kuzhinë dhe të sjellë paraardhës. Në momentin kur femra e ngrit zërin kundrejt padrejtësive, kjo duket si diçka e paimagjinueshme për meshkujt kosovarë, se kinse “burrëria” e tyre po bie poshtë dhe kjo duket se i jep të drejtë atyre të bëhen agresiv apo dhunues në mënyrë psiqike e fizike dhe t’ia lejojnë vetes ta privojnë dikë nga jeta”.

Borinca thotë se tendeca abuzuese dhe kriminale në shoqërinë shqiptare vjen edhe si pasojë e neglizhencës së organeve komptente për trajtimin e rasteve të tilla.

“Përveç shoqërisë dhe qëndrimeve patriarkale, këtu ka rol edhe shteti apo organet kompetente dhe funksionaliteti i tyre. Pra, akoma nuk kemi shembuj konkret se personat që abuzuan në familje apo privuan dikë nga jeta morën “çmimin” apo dënimin e merituar. Një shoqëri që akoma thellësisht në rrënjë posedon mendimet patriarkale, një shoqëri që nuk ka organe funkisionale për të ndëshkuar dhunën dhe privimin e jetës së qytetarëve të saj, ajo shoqëri prodhon persona me tendencë abuzuese e kriminale”.

Njësoj mendon edhe sociologu Jeton Brajshori, i cili thotë se parandalimi i dhunës në shoqëri duhet të fillojë nga edukimi i hershëm i fëmijës, sepse sipas tij gjithçka fillon në familje.

“Parandalimi më i mirë është edukimi i hershëm i fëmijëve, pra gjithçka fillon nga familja. Prindërit duhet të bisedojnë sa më shumë me fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë i bëjnë fëmijët të ndihen më rehat që edhe kur kanë probleme, ato mund lirshëm t’i diskutojnë me prindërit, pra kjo është preventiva më e mirë. Neglizhenca e tyre po i bën edhe viktimat e mundshëm të ndihen të pasigurta dhe mos t’i lajmërojnë rastet”.

Nuk janë reagimet publike të udhëheqësve institucional, politik dhe shoqërisë civile, ato që e “zhbëjnë” dukurinë e shëmtuar të dhunës dhe vrasjeve të grave, por paranadalimi vjen vetëm atëherë ku institucionet marrin veprime konkrete me bazë parandaluese e jotrajtuese.

Kujtojmë, se vetëm gjatë periudhës janar – tetor 2022 janë paraqitur 2.273 raste të dhunës në familje, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Ndërsa, sa i përket numrit të vrasjeve në familje për këta 9 muaj në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se kanë ndodhur 4 raste.

Se çfarë masa do të ndërmerren tash e tutje dhe cili ligj do të ketë impakt në parandalimin e dhunës dhe vrasjes, Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për InLajmin thotë se Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në familje përcakton qartë detyrat dhe përgjegjësitë e secilit institucion.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se brenda kompetencave kanë ndërmarrë veprimet e duhura për parandalimin e rasteve.

“Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave dhe vajzave është vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në familje përcakton qartë detyrat dhe përgjegjësit e secilit institucion, Policia, Mbrojtësi i viktimave, Qendra për Punë Sociale, Prokuroria dhe Gjyqësia. Veprimet e mekanizmit janë të domosdoshme në momentin kur raportohet sepse kjo është hallka e koordinimit dhe komunikimit institucional. Ministria e Drejtësisë me veprimet e saja të ndërrmara deri më tash, në fokus e ka viktimën përmes mënjanimit të rastit dhe brenda kompetencave, ka ndërmarrë të gjitha veprimet”.

Ishin rastet e fundit të 2 viktimave, që dyshohen se janë vrarë nga burrat e tyre, që tronditën opinionin dhe drejtuesit institucionalë, derisa reagimet ishin të pafundme në të gjitha nivelet e shoqërisë, por se vetëm reagimet nuk mjaftojnë që të parandalohet kjo dukuri e shëmtuar.

Të ngjashme