Kush po thërret për luftë në Kosovë?

Prishtinë | 21 Dhj 2023 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Persona të papërgjegjshëm nga studiot televizive po deklarojnë se lufta në Kosovë vetëm sa nuk ka filluar. Analistë të afërt dhe të financuar nga qeveria madje e tregojnë edhe kohën kur do të ketë sulme në Veri të Kosovës në ndërkohë që edhe KM i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani thuaja në çdo takim me të huajt por edhe në paraqitje publike thonë se sulmi si ai i Banjskës mund të përsëritet në ndërkohë që shprehen të gatshëm që me të gjitha mjetet e mundshme të mbrojnë Kosovën dhe, në fakt asnjëri prej këtyre që po alarmojnë për luftë të mundshme në Kosovë nuk ka kontribuar me asgjë dhe kanë qëndruar për shkaqe objektive a subjektive larg luftës ani pse kanë mundur të jenë pjesë e luftës kur kërkohej sakrificë për liri dhe çlirim. Kosova po përballet me një situatë të rënduar ekonomike dhe një shumicë e qytetarëve të saj po përballen me probleme të mbijetesës dhe diskutimet për luftë të mundshme përmes përhapjes së frikës është përpjekje perfide për të zhvendosur vëmendjen nga situata shpërthyese sociale sikur edhe nga një largim masiv i qytetarëve të Kosovës pas datës 1 janar 2024, koha kur hiqen vizat për shtetasit e Kosovës. Kërcënimet me luftë bëhen edhe për të mbuluar dështimet e institucioneve thuaja në të gjitha fushat hiç këtu sportin që ka pasur sukses të konsiderueshëm gjatë vitit 2023. Pas sulmit të Banjskës për të cilin KMDLNj–ë dyshon se është bërë i orkestruar për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizim me Serbinë e që për Kosovën, për aq sa është e qasshme për opinion është shumë e dëmshme, retorike luftënxitëse është bërë dukuri e përditshme, në njërën anë, kurse, në anën tjetër thuhet se kemi përmirësim të madh të situatës së sigurisë në Veri të Kosovës dhe pranim të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve lokalë. Për këtë, si tregues të këtij përmirësimi merren rënia e numrit të incidenteve në këtë pjesë të Kosovës dhe sidomos pajisja e qytetarëve serbë me tabela RKS e që më parë i refuzonin. Që paradoksi të jetë më i madh dhe që vë nën dyshim pohimet e institucionet e Kosovës tregon fakti se prania e trupave paqeruajtëse – KFOR-i t në veri të Kosovës thuaja është dyfishuar dhe ata, në një mënyrë apo tjetër ushtrojnë kompetenca edhe të policisë. Realisht, në aspektin e funksionimit të sigurisë në Veri të Kosovës, hallka kryesore në këtë zinxhir është pikërisht KFOR-i dhe pa pëlqimin e tyre nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në fushën e sigurisë.

Dështimet katastrofale në politikën e jashtme, turpërimi në arsim përmes testit PISSA, improvizimet me ndihma akute ( !00 ) euro për kategoritë sociale, mungesa e investimeve kapitale, rritja e ndjeshme e korrupsionit në të gjitha nivelet, ndërhyrja flagrante e qeverisë në punën e institucioneve të pavarura, nepotizmi galopant, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies mundohen të mbulohen me kërcënimet të vazhdueshme me luftë nga Serbia, ndërhyrjen e Rusisë në Kosovë, ndikimin e luftës në Ukrainë si shkas për përkeqësim të situatës së sigurisë në Kosovë e gjëra të tjera të ngjashme.

KMDLNj –ë thërret të gjithë akterët të jenë të përmbajtur dhe të përgjegjshëm në deklaratat e tyre, të mos flasin për gjëra që nuk është fare përgjegjësi e tyre dhe aë nuk i pyet askush dhe që nuk kanë asnjë ndikim ndërsa thërret institucionet e Kosovës që të angazhohen për zgjidhje të problemeve jetike për qytetarët e Kosovës dhe të mos merren me tema të mëdha për të cilat nuk pyeten nga askush dhe nuk kanë asnjë ndikim, as për zgjidhjen e tyre e as për përshkallëzim të situatës. Qytetarët duan jetë më të mirë, institucionet e sigurisë duan kushte më të mira të punës dhe të ardhura më të mira, sigurime shëndetësore dhe sigurime jetësore, arsim më cilësorë në të gjitha nivelet si edhe shërbime shëndetësore më të mira. Duan një mjedis të pastër dhe jo të mbytur nga mbeturinat, hapësira të blerta dhe barazi para ligjit. Duan mundësi të barabarta gjatë punësimit dhe gradimit. Thjeshtë, duan të kenë një ardhmëri në Kosovë dhe të cilën aktualisht nuk e kanë ose e kanë fare të pasigurt.

Këta që po thërrasin për luftë, as që e kanë bërë luftën e as që do ta bëjnë, nëse hipotetikisht edhe vjen deri te lufta për çka KMDLNj –ë nuk beson se do të ndodhë.

Të ngjashme