Delegacioni i Kosovës që do të shkojë për bisedime në Shtëpinë e Bardhë ende nuk është caktuar. Por, për shkak të telasheve me takimin e Brukselit, rreth përfaqësimit, kjo temë me siguri se do të shtohet për diskutim në takimin e së hënës kur mblidhen liderët e koalicionit, të cilët do të trajtojnë edhe mospajtimet tjera. Zyra e Kryeministrit ka lënë të kutohet se delegacioni do të reflektojë përbërjen e partive të koalicionit.
Megjithatë, Gazeta Express mëson se kryeministri Hoti do të marrë me vete Skënder Hysenin, të cilin, në pajtim me presidentin Thaçi, i kanë dhënë një detyrë për dialog. Pjesë e delegacionit pritet të jetë edhe njeriu i Ramush Haradinajt në Qeveri, ministri Selim Selimi.
Kanë mbetur rreth dy javë deri të përballja e Kosovës me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa pala kosovare zyrtarisht thotë se akoma nuk ka caktuar se kush do të jetë pjesë e delegacionit.
Takimi në Uashington mund të shtyhet për dy ditë, megjithatë një gjë është e konfirmuar, mbajtja e tij.
Nga Zyra e Kryeministrit Hoti thonë se akoma nuk është janë caktuar se cilët zyrtarë shtetërorë e shoqërojnë Hotin, por, me gjasë, ai do të marrë ndonjë ministër të kabinetit, që vjen nga partnerët qeveritarë.
“Akoma nuk është caktuar, por me kryeministrin sigurisht se do të shkojë ndonjëri nga ministrat. Mund të jetë dikush nga partnerët e koalicionit. Ndonjë këshilltar i Kryeministrit. Por me emra, nuk janë caktuar akoma”, ka thënë Xhavit Beqiri, këshilltar për media i Kryeministrit Hoti.
Pjesë e delegacionit do të jetë koordinatori i emëruar nga Qeveria për dialogun me Serbinë, Sksnder Hyseni.
Prej që presidenti Hashim Thaçi iu bë publike nga Prokuroria Speciale se ndaj tij është dorëzuar aktakuzë – akoma e pakonfirmuar – për krime lufte është tërhequr krejtësisht nga përfaqësimi i vendit.
Presidenca nuk është përgjigjur që nga java e kaluar për delegacionin.
Brenda AAK’së thonë se nuk e kanë folur kë e dërgojnë në Ëashington, por me gjasë me Hotin shkon ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Ai ishte pjesëmarrës edhe në disa takime me shefin e Qeverisë në Bruksel, kur rifilloi dialogu me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Selimi përsërit vazhdimisht se shefi i partisë së tij, Ramush Haradinaj, e ka caktuar si përfaqësues të AAK’së në Qeveri, për dialogun me Serbinë. Ai tregoi hatërmbejtje, kur u kthye nga Brukseli, pasi Hoti nuk e mori në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuciqin, e Selimi thoshte se ndihej i painformuar.
Ndryshe, të hënën mbahet takimi i partnerëve të koalicionit qeverisës, pra LDK’së, AAK’së, Nismës e minoriteteve, e aty pritet të diskutohet edhe për dialogun me Serbinë.
Aranzhimin e takimit mes Kosovës dhe Serbisë e kishte bërë të ditur Richard Grenell, emisar i Trumpit për dialogun.
Takimin, që Grenell pati njoftuar se mbahet me 2 shtator, e organizon Robert O’Brien, këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump.
Gazeta Express ka raportuar sot se ky takim do të shtyhet për dy ditë dhe se burimet diplomatike i kanë thënë gazetës se arsyeja e shtyrjes është mundësia që edhe presidenti Trump të marrë pjesë në takim.