(Pjesa e parë)
Nga cikli : Kultura e dhunës dhe dhuna e kulturës”
8 janari do të mbetet gjatë në kujtesën e historisë politike të Shqipërisë pas-komuniste. Si një shpërthim dhune midis lidershipit brenda partisë demokratike, që tërhoqi pas vetes nga të dy palët individë të dhunshëm nga rradhët e shoqërisë.
Teksa shikoheshin ato pamje dhune të marrëzishme nga të dy krahët, bënte të lindte pyetja: Si është e mundur kjo kulturë dhune, ku mentalitet i dhunshëm, që kanë shpërthyer? Nga ka dalë kjo “llavë” e fshehur poshtë etiketave demokraci, parti demokrartike, shtet ligjor, tolerancë, dialog, etj? Ku paska qenë e fshehur kjo energji dhune dhe vazhdon të rrjedhë në studio televizive, në faqe gazetash, në website mediash? E veshur me argumente, me fraza dogmatike, me silogjizma dhe me gjysëm të vërteta të marrëzishme?
Dikur një studiues i njjohur evropian thoshte se Gjermania u denazifikua fort pas Luftës së Dytë botërore. Por disa vende të tjera, të mpleksura më pak me nazizmin, që i shpëtuan damkosjes me emrin “vende naziste”, nuk e bënë kurrë denazifikimin e plotë të tyre. Prandaj në pjesë të ndryshme të popullsisë në këto vende vazhdojnë edhe pas dekadash të ketë mbetje mendësish naziste.
M’u kujtua kjo shprehje kur shihja që protestues të mbledhur në oborrrin e ndërtesës të ish SHQUP-it mësynin dyert e ndërtesës për t’i hapur me mjete të forta metalike, me “dash” hekuri, kur tentonin të thyenin portat e blinduara me qysqi, kur tentonin të hidhnin tej barrierat e dyerve të fortifikuara me varé, apo thyenin xhamet e katit të parë me mjete të forta. Por, trishtimi, habia, revolta ishte po aq e madhe, nëse jo edhe shumë më e madhe, kur nga brenda jashtë pashë që mbi kokat e protestuesve në oborr, të dhunshëm ose jo të dhunshëm, hidheshin karrike, mjete të forta, xhama që binin mbi koka nga lart poshtë, kur vura re që individë me shkopinj, armatosur paraprakisht, Pra ushtronin dhunë joligjore me paramendim, godisnin nuk e di me çfarë autorizimi ligjor, individët e hipur mbi ballkon të cilët kërkonin të paarmatosur gjithsesi të hynin brenda ndërtesës, dhe sidomos kur nga brenda jashtë dilnin shtëllunga gazesh dëmtuese në masë.
Nga të dy anët njësoj, por në sytë e mi më egërsisht nga brenda jashtë sesa nga jashtë brenda, pa masur mundësi ta mas saktësisht, fjalët demokraci, dialog, shtet ligjor, tolerancë, shumicë – pakicë, të gjitha ishin rrjepur, grrisur. Ishte si një copë pëlhurë mëndafshi që u shpërbë, u shqye dhe nga poshtë bardhësisë iluzore dolën demonët e dhunës që godisnin njeri tjetrin.
Nga doli pra kjo dhunë barbare duke çarë bardhësinë iluzore të një shoqërie gjoja të mbështetur mbi ligjin, gjoja demokratike, gjoja e emancipuar? Kjo dhunë barbare, e papranueshme, e ndyrë, e frikshme, e lemerisshme kur udhëhiqet dhe drejtohet nga individë sado elegantë të vishen, sado delikatë të duken, sado nga një botë paqeje të jenë dukur se dalin?
Kur anoncova titullin e këtij reflektimi dikush më shkroi në facebook se populli nuk e ka të trashëguar këtë kulturë dhune, por e nxisin njerëz të etur për parà, për pushtet, për ego personale. Sado jam dakord përgjysmë me komentuesin, dua të them se problemi është më i gjerë sesa thoshte ai.
Pas viteve ’90 shoqëria shqiptare, mirë a keq, plotësisht, ose pjesërisht, me metoda të mira a të pagjetura, sikundër gjithë Lindja, së paku ideologjikisht, në fjalë, në ligje, pësoi një proces dekomunistizimi. Por, dhuna e shoqërisë totalitare u kufizua të shihej te ajo që u quajt lufta e klasave. Patëm iluzionin se me shkëputjen nga “lufta e klasave” që prodhoi dhunë dhe terror, do të zhdukej bashkë me të edhe kultura e terrorit dhe e dhunës.
Ky ishte iluzioni. Sepse sikurse duket kultura e dhunës ka qenë në rrënjë të trashëguara më thellë, sikurse kultura e marrëveshjes te të gjithë popujt.
Të ardhur nga bota e kafshëve, të pazbutur nga instinktet e dhunës, njerëzit përcjellin në shekujt edhe “kulturën” e dhunës, edhe kulturën e dialogut, tolerancës, marrëveshjes dhe respektimin e të ndryshmes.
Nuk e ka formuluar kot Frojdi mekanizmin libido-thanatos. Libido si prirje e mirëkuptimit dhe e solidaritetit mes njerëzve dhe thanatos si instinkt i egër, i vrasjes, dhunës ndaj tjetrit. Qysh në traumat e një fëmijërie rritur me pushtete të dhunëshme mbi kokë, – shkruan Frojdi- fëmija edukohet në karakterin e vet me urrejtje të dhunëshme dhe me dashuri nënshtruese. Dashuria nënshtruese kthehet në urrejtje vrasëse pa kufij, dhe urrejtja vrastare fsheh një adhurim të nënshtruar, saqë për ta mbrojtur veten nga poshtërimi prej dashurisë për tjetrin, shpërthen urrejtja ndaj objektit të veneruar.
Pse popujt e tjerë e paska dhe e pranojnë këtë energji dhune, urrejtjeje, që drejtohet më me egërsi ndaj atyre që më parë ke dashur, dhe ne të mos e kemi? A jemi ne më të mirë se popujt e tjerë? A jemi ne më të këqinj se popujt e tjerë? Nuke besoj kurrë.
Kjo dhunë e turpëshme që ngjyrosi partinë demokratike, trishtueshëm për këdo që e di se pa opozitën shoqëria është e mbaruar, aq më shumë për ata që herë pas here ose gjithmonë kanë votuar këtë parti, sipas rrethanave, është një mesazh i shëmtuar që na vjen nga larg. Si ai vullkani i fjetur që sapo gjen diku boshësi në shtresat sizmike të çara, ende i pangrirë por me energji, shpërthen në llavë që djeg gjithçka.
Mirë sulmuesit që përfaqësojnë një fraksion të partisë, por ata që ndodheshin brenda mureve të ndërtesës, të thërritur nga kryetari i partisë, që pretendon se simbolizon partinë institucionalisht, si të tërë, a nuk është e turpëshme të rrëshqitet në kulturën e dhunës të paralajmëruar, dhe jo për të gjetur zgjidhjen te kultura e së drejtës dhe e shtetit ligjor?
Po të shohim thjesht gjuhën tonë do të gjejmë fjalë të urta që e justifikojnë dhunën. Ato sigurisht institucionalisht nuk gjejnë veprim sot, por askush nuk terrorizohet prej tyre, madje përdoren shpesh me shakà dhe me një humor që përbën edhe një shkallë pranimi të tyre. Por sikur të gjitha konceptet, edhe ato fjali kanë shprehur një mendësi ekzistuese në traditë.
Ai që të rreh të do!
As dy të rrahura nuk të bëjnë keq, jo më dy të ngrëna!
Po të ha kurrizi më duket!
Goja ham, kurrizi bam!
Zbuti kurrizin fillimisht, pastaj ndriçoju mendjen!
Druri ka dalë nga xheneti!
Derri do plumb!
etj.
Mirëpo prova gjuhësore nuk është e vetmja që vërteton se poshtë kravatave tona, këmishave tona të bardha, thonjëve të lyer me manikyrë, poshtë kasketave tona, kostumeve, brilantinës, gjuhëve tona të huaja, diplomave tona, “fle” vullkani i mendësive të dhunshme, fle instinkti i dhunës, fle histeria e një thanatosi vrastar, që nuk ka vend në një politikë të vërtetë demokratike. Kjo mendësi nuk ka të ardhme, sa më shpejt ajo dhe bartësit e saj duhet të kërkojnë ndjesë publike ose të largohen nga politika në punë të tyre.
Mos harrojmë se në kulturën tonë ka rrënjë të thella vetëgjyqësia si në planin komunitar, ashtu edhe në atë familjar, miqësor, etj. Edhe sot kur dikush goditet dhunshëm, ai konsiderohet i turpëruar jo pse u godit, por sepse nuk e ktheu goditjen! Nuk është fjala te kuptimi i cekët i shprehjes : Kush të godet në një faqe, ktheji tjetrën! Por, kush qendron pa reaguar dhunshëm ndaj goditjes së pësuar konsiderohet shpesh, shumë shpesh, si i turpëruar, i nështruar, jo i edukuar, jo i emancipuar, jo i dalë nga mendësitë e barabarisë.
Sy për sy, dhemb për dhemb, kjo është vetëgjyqësia që vjen nga larg, nga shoqëri që ende ishin paraligjore, për të mos thënë shumë larg një shteti ligjor, demokratik. Sikurse thotë Hobësi me shumë të drejtë prirja e dhunëshme është natyrore te njeriu, kurse vetëpërmbajtja dhe respektimi i ligjit është artificiale. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin që largimi nga dhuna individuale në shoqëri është pasojë e arritur me mundim, me shekuj edukimi, për ta mposhtur prirjen e të fortit që rreh të dobtin si instinkt natyror.
Po ku Hobësi dhe ku Hovësit tanë nën instinktet natyrore të pazbutura!
Kultura e të fortit që vjen nga larg, e të fortit të dhunshëm, është kultivuar në këto dekada edhe nga mangësitë e respektimit të rendit, nga dobësitë e sistemit të së drejtës, etj. Atje ku shteti lë hapësira ku ligja nuk vepron, apo atje ku popullsia sheh se vetë ligjëvënësit shkelin ligjin, ku veç ligjit është dhe Maliqi, atëhere kultura e poshtër e të fortit bëhet sunduese. Ajo justifikon dhunën që shpesh me nënvetëdije e duan edhe viktimat e mësuar të jetojnë nën dhunë.
Nuk përdoret kot shprehja : “Eshtë i forti ai!
Dhuna psikologjike verbale, shtrënguese dhe fizike e komunitetit mbi individin ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e fortë. Kultura e sharjes, e ofendimit, e kërcënimeve, e goditjes vazhdon brenda familjes. Maçizmi i saj është i ndjeshëm. Dhuna e burrit ndaj gruas është aq e përhapur, aq e dendur, sa e ka bërë gruan në shtresa të tëra të shoqërisë një qenie të përulur që agresivitetin e burrit e sheh si të mirëqënë, në mos edhe si një dukuri seksi! Për të mos folur për shpullat, shkelmat bythëve, shkuljen e veshëve të fëmijëve që në masë rriten nën kulturën e dhunës dhe të diktatit.
Edhe të rritur, të dukuar dhunshëm, ata mbeten fëmijë, e pranojnë, e ushtrojnë dhunën, sikundër kam shtjelluar gjatë te libri im NJERIU FËMIJË botuar nga Papirus.
Komuniteti, familja, miqësia, madje edhe kombi ka të drejtë, ka çdo të drejtë, mbi individin. Kjo kulturë kolektiviste është një dukuri që rrëshqet lehtë në dhunë. Sepse ajo bazohet te ideja se është e natyrëshme që grupi të ketë të drejtë gjithmonë dhe ta ushtrojë pra si ndëshkim mbi atë pjesë të tij që këtë të drejtë kolektive e quan të padrejtë.
Ne kemi një kulturë të trashëguar që ka natyrë universaliste dhe jo të fragmentuar. Të drejtën time duhet ta pranosh edhe ti si të drejtë. Përndryshe në emër të së drejtës sime unë të ndëshkoj me të drejtë.
Lind dhuna ndërindividuale si dhunë e drejtë!
Kjo, kulturë totalizuese, sintetizuese, homogjene, sikurse ka theksuar një mendimtar i rrallë si Alfred Korzbiskij, është një kulturë e dhunëshme që edukimi te të gjithë popujt e qytetëruar është munduar ta zbehë, ta zbusë, ta bëjë ujkun një qen të mënçur!!!
Tragjikja e 8 janarit për ne është se ajo nuk u shfaq dikur në ndonjë geto të kryeqytetit, në ndonjë pyll të errët ku dy vetë i zunë pritë dikujt, në një ashensor ku ndonjë masturbues patologjik dhunoi ndonjë tetëdhjetvjeçare, nuk ndodhi as në ndonjë pijetore gjysmërurale ku të dehurit humbën mendjen nën avujt e rakisë të dëllinjës. Ndodh në mes deputetësh, ndodh në mes politikanësh të një force politike që ka gjysmën e kolltuqeve të Kuvendit, ose aty afër, ndodhi e legjitimuar në studio televizive, ndodhi pra atje ku duhet të ishin energjitë e antidhunës në emër të kulturës të shtetit ligjor.
Kjo është barbaria ku jemi futur!
Imagjinoni sikur qindra mijëra njerëz që konsiderojnë me të drejtë se u janë marrë padrejtësisht pronat t’u sulen atyre që i kanë uzurpuar ato me hunj, varé, mjete të forta, dhe të dytët, që mendojnë se janë në të drejtë të tyre, të mbrohen duke përtitur : “po mbrohemiiiiiii!”, të kundërpërgjigjen me gaz lotësjellës, me shkopinj bejsbolli në duar!
Populli nuk e bën se ka urtësinë. Mënçurinë. Deputetë dhe politikanë e bëjnë. Pikërisht ata që duhet të bënin të kundërtën!
(Vazhdon)