Jared Kushner është përfshirë në listën e kandidatëve potencialë për rolin e shefit të stafit të presidentit.
Dhëndri i Donald Trumpit dhe këshillar i lartë njëkohësisht, Jared Kushner është përfshirë në listën e kandidatëve potencialë për rolin e shefit të stafit të presidentit, të paktën kështu raportoi media amerikane gjatë së enjtes.
Kushner, një këshilltar me ndikim në Shtëpinë e Bardhë dhe bashkëshorti i vajzës së Trumpit, Ivanka, u takua me udhëheqësin republikan për të diskutuar mbi postin e ri, sipas “Huffington Post” që e raportoi e para këtë ngjarje.
“Nuk jam në dijeni të faktit që ai po merret në konsideratë, por, mendoj se të gjithë ne këtu duhet ta pranojmë se ai do të ishte shumë i suksesshëm në çdo rol që presidenti do ta zgjidhte”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, e pyetur mbi lajmin që u përhap më pas edhe nga “CBS”.
Presidenti ka kërkuar më kot për një shef të ri të stafit të tij, pasi njoftoi se John Kelly, një gjeneral i dalë në pension që thuhet se është përplasur me të, do të largohet nga posti në fund të vitit, transmeton “Tch”.
Nick Ayres, ish-shefi 36-vjeçar i stafit të zv.presidentit Mike Pence, u përfol gjithashtu si pretendenti për të marrë postin, por ishte ai vet që njoftoi se nuk do të garonte për të, duke i dhënë një goditje të rëndë presidentit.
Mark Meadows, një republikan nga Karolina e Veriut që kryeson “Freedom Caucus” të ekstremit të djathtë në Dhomën e Përfaqësuesve, shfaqi gjithashtu interes, por e tërhoqi më pas kandidaturën e tij.
Kushner ka qenë një faktor kyç në negociatat me Kanadanë dhe Meksikën për të arritur paktin për tregti të lirë mes vendeve të Amerikës së Veriut. Ai ka udhëhequr gjithashtu përpjekjet për të hartuar planin e paqes në Lindjen e Mesme, që administrata e Trumpit ka thënë se do ta zbulojë në fillim të vitit 2019.
Dhëndri 37-vjeçar ka kultivuar gjithashtu marrëdhënie të afërta me princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, i cili akuzohet së fundi se ka luajtur rol kyç në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, një ngjarje që ka përkeqësuar marrëdhëniet e Mbretërisë arabe me Perëndimin.
Lajmi në fakt pritet të shkaktojë një furtunë akuzash për nepotizëm, veçanërisht nëse merr në konsideratë faktin se Kushner nuk ka pasur ndonjë eksperiencë në qeverisje përpara zgjedhjes së Trumpit president. Por, ashtu si dhe vjehrri i tij, ai u largua nga rezidenca e tij në Nju Jork për t’u bërë tashmë një prej “lojtarëve” më të fuqishëm politik të Uashingtonit.