Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që kishte zgjedhur Enver Pecin si kryetar të Gjykatës Supreme.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja e ka urdhëruar Këshillin Gjyqësor të mbajë një proces të ri të përzgjedhjes.
Duke pretenduar se në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasur parregullsi, të cilat i kanë cenuar të drejtat e saj kushtetuese, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar vendimin e KGjK-së për përzgjedhjen e Enver Pecit në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Daka pretendonte se ka pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes për kryetar të Gjykatës Supreme që kanë cenuar të drejtën e saj për pjesëmarrje dhe për t’u zgjedhur.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e saj lidhur me pretendimet e Dakës vlerëson së procesi i votimit në KGjK përbën padrejtësi.
“Gjykata konsideron se procesi i votimit nuk ofron garanci të mjaftueshme procedurale për të mbrojtur barazinë e kandidatëve gjatë tij, dhe si i tillë dëmton perceptimin publik për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në të cilën KGjK kërkohet ta sigurojë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese më tej gjen se forma aktuale e rregullimit të procesit të votimit nuk u ofron mundësi të barabarta kandidatëve sepse procesi nuk parasheh mekanizma mbrojtës proceduralë në lidhje me garantimin e trajtimit të barabartë.
Kushtetuesja më tej në vendimin e saj e urdhëron Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të nis nga e para procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe të evidentojë të gjitha të gjeturat e përmendura në vendim. (kallxo.com)