Gani Dizdari është anëtari i radhës i Gjykatës Kushtetuese i cili është shkarkuar prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vendimi ka ardhur pas konstatimit se në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit kishte kontradikta mes çmimit të blerjes dhe sipërfaqes, raporton oranews.
Po ashtu u konstatuan se Dizdari kishte lidhje me persona me precedentë.
Avokati i Dizdarit, edhe një herë theksoi se pasuria e deklaruar është e justifikuar dhe se personi për të cilin thuhet se ka precedencë është nipi i Dizdarit.
Sokol Hazizaj: E para procesi nuk ka mbaruar sepse vendimi i KPK do të ankimohet në Komisionin e Posaçëm. Së dyti, KPK shpreh, mbron qëndrimin e tij me dy standarte. Vini re vendimet dhe konstatoni që KPK nuk vepron mbi bazën e asaj çka paraqet subjekti por vetëm mbi bazën e asaj çka mund të ketë ndonjë listë në tavolinë. Dhe së treti, KPK në këto kushte kur vepron me dy standarte, i thuhet fjalës: Fol o gur, fol o mur.
Tashmë në Gjykatën Kushtetuese kanë mbetur dy anëtarë, kryetari i këtij institucioni Bashkim Dedja dhe anëtarja Vitore Tusha.
Opozita akuzon mazhoramncën se e ka krijuar qëllimisht këtë situatë për të mos lejuar ankimimin ndaj ligjeve.
Anëtarët e rinj të Kushtetueses do të zgjidhen pas konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.