Rasti i votës së kontestuar të deputetit të dënuar, Etem Arifi, ende nuk ka marrë epilog në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit për rastin e ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje tre muaj më parë tha se është ende në procedurë të shqyrtimit.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë”, është thënë nga Kushtetuesja.
Por gjasat që vota e deputetit Arifi të shpallet antikushtetuese, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, janë minimale.
‘Është pothuajse e pamundur që Gjykata Kushtetuese në njëfarë mënyre t’ia marrë mandatin apo ta shpallë votën e tij kundërkushtetuese, për arsye se në kohën kur aktgjykimi i formës së prerë i deputetit Arifi ka marrë fuqinë, ka qenë legjislatura para kësaj. Që nënkupton se mandati i deputetit Arifi ka qenë në legjislaturën e mëhershme, por jo në këtë aktuale dhe në këtë drejtim i njëjti nuk mund të ketë pasoja juridike lidhur me mandatin e tij si deputet”, ka thënë Miftaraj.
Për shkak të mosparaqitjes në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për vuajtje të dënimit, Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 gusht ka lëshuar urdhërarrest për deputetin Etem Arifi dhe ai është në kërkim nga Policia e Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, Policia nuk ka dhënë detaje për mundësinë e ikjes së Arifit jashtë shtetit të Kosovës, porse ka theksuar se ai është kërkuar disa herë në shtëpinë e tij.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj në të gjitha rastet i ndërmerr konform autorizimeve dhe legjislacionit në fuqi. Po ashtu Policia e Kosovës ka bashkëpunim dhe koordinim të mirë me autoritetet e drejtësisë në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, ku personin në fjalë e ka kërkuar disa herë në adresën e banimit, por ai nuk është takuar”, është thënë nga Zyra për media e Policisë së Kosovës.
Etem Arifi është kryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim dhe është shpallur fajtor në prill të 2018-s nga Gjykata Themelore e Prishtinës për mashtrim me subvencione që kapin shumën mbi 25 mijë euro.