Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka nxjerrë të martën verdiktin në të cilin vlerësohet se përgjimi i telefonave dhe qarkullimit të internetit shtetasve të huaj jashtë vendit nga Agjencia e spiunazhit, BND, shkel disa pjesë të Kushtetutës së vendit.
Është hera e parë që gjykata, duke vepruar pas ankesave nga gazetarët e huaj dhe organizata për mbrojtjen e gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, ka vlerësuar se BND-ja është subjekt i Kushtetutës së Gjermanisë për aktivitetet e veta jashtë kufijve të vendit.
Në verdikt është thënë se përgjimi i telefonatave dhe i trafikut të internetit të të huajve nga BND-ja është shkelje e lirisë së shtypit dhe e drejtës së privatësisë në telekomunikime të mishëruar në Kushtetutën e vendit, ose Ligjit themeltar, sikur njihet në Gjermani.
“Autoriteti i shtetit gjerman është i lidhur me të drejtat themelore të Ligjit themeltar, jo vetëm brenda territorit gjerman”, është shkruar në vendimin e gjykatës, duke shtuar se kërkohen edhe mekanizma dhe siguri të tjera që mbrojnë aranzhimet që dalin nga akti më i lartë juridik i një vendi.
Ankesa ishin shprehur më së shumti nga gazetarët që raportonin për shkelje të të drejtave të njeriut në zonat e luftës dhe nga shtetet e autoritare që ishin të shqetësuara për provizionet legale që ia lejonin BND-së t’i mblidhte, t’i ruante dhe t’i analizonte të dhënat nëpërmjet sistemeve të përgjimit përtej kufijve të Gjermanisë. “Reporterët pa Kufij” kanë argumentuar se rregullat e tanishme vinin në rrezik informatorët.
“Ne shpresojmë se do të fuqizohet ndërkombëtarisht mbrojtja në hapësirën digjitale”, ka deklaruar Christian Mihr, drejtor i “Reporterëve pa Kufij” për Gjermani. Ai ka folur për “Inforadio” pas verdiktit të organit më të lartë juridik të Gjermanisë. Në verdikt kërkohet që qeveria të ndryshojë një amendament të ligjit për kompetencat e BND-së më 2017, pasi ishte zbuluar se Inteligjenca amerikane kishte përgjuar trafikun e internetit të gjermanëve dhe se BND-ja kishte bërë të njëjtën punë jashtë vendit.
Megjithëse kompetencat aktuale të BND-së shkelin Ligjin themeltar, Gjykata ka vlerësuar se në parim, përgjimi strategjik i të huajve në shtetet e tjera përkon me rregullat aktuale ekzistuese që mund të mbesin në fuqi deri në fundit të vitit të ardhshëm.