Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Telekomit të Kosovës dhe kërkesën për vendosje të masës së përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutim i aktvendimit të Themelores së Prishtinës, me të cilin Telekomi detyrohet që t’i paguajë operatorit Z-Mobile shumën prej mbi 24.6 milionë euro.
Fillimisht ndaj vendimit Telekomi kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më 8 tetor të vitit 2020, kishte refuzuar ankesën e Telekomit dhe kishte lënë në fuqi vendimin e Themelores.
Telekomit i ishin bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për t’i tërhequr paratë.
Telekomi ka dërgiuar çështjen në Kushtetuese, duke u ankuar për aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 22, për zbatimin e drejtpërdrejt të marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, 24 për barazi para ligjit dhe 31 e drejta për gjykim të drejtë e të paanshëm, sipas Kushtetueses së Kosovës. Telekomi kishte kërkuar nga Kushtetuesja të vendoset masa e përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutimi i vendimit të kontestuar, aktvendimi i Themelores në Prishtinë i 6 korrikut të vitit 2020 dhe urdhri përmbarimor i datës 15 korrik të vitit 2019.
“Kolegji shqyrtues propozoi që, të refuzohet kërkesa e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme dhe që në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39 (1)(b) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme”, thuhet nga Kushtetuesja.