Kushtetuesja s’gjen shkelje në Ligjin për Investime të Qëndrueshme: Presidentja ta shpallë

Prishtinë | 27 Qer 2024 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që Ligji për Investime te Qëndrueshme t’i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pasi që s’kanë gjetur asnjë shkelje kushtetuese.

Skanimi i disa neneve të këtij ligji nga Kushtetuesja ka ardhur pas ankesës së dorëzuar nga deputeti i PDK-së, Ferat Shala dhe nëntë deputetë të tjerë.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO248/23, me parashtrues Ferat Shala dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme. Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, njëzëri, që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; dhe (iii) njëzëri, të shpallë që, në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në vendim.

Të ngjashme