Gjykata Kushtetuese këtë vit do të mbetet pa kryetaren e saj, pasi Arta Rama-Hajrizit, që e udhëheq këtë institucion që nga viti 2015, i përfundon mandati pas tre muajve, në qershor të 2021. Se Kushtetuesja do të mbetet pa gjyqtaren që edhe e drejton Gjykatën, është njoftuar zyrtarisht edhe Kuvendi i Kosovës, institucion ku zgjidhen anëtarët e organit që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
Arta Rama-Hajrizi u zgjodh gjyqtare e Kushtetueses në vitin 2012 dhe për 9 vite ka qenë një nga 9 anëtaret e këtij institucioni. Por, kryetares së Gjykatës Kushtetuese i përfundon mandati në qershor të 2021-ës.
E ashtu siç e përcakton Ligji për Gjykatën Kushtetuese, institucioni që udhëhiqet nga Rama-Hajrizi tashmë e ka informuar Kuvendin e Kosovës në mënyrë që ky institucion të filloj procedurat për zëvendësimin e saj.
“Gjykata e ka njoftuar Kuvendin e Kosovës përkitazi me përfundimin e mandatit të kryetares Arta Rama-Hajrizi, më 23 dhjetor 2020”, ka njoftuar të martën Gjykata Kushtetuese, në një përgjigje për Reporteri.net.
Edhe Kuvendi e ka konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se është informuar për situatën në Kushtetuese.
Por, kanë thënë se ende nuk kanë arritur të ndërmarrin ende asnjë hap ligjor në drejtim të fillimit të procedurave për zgjedhjen e një gjyqtari të ri si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo, shkaku i shpërbërjes së Kuvendit, në janar të këtij viti.
“Gjykata Kushtetuese, me 23 dhjetor 2020, e ka njoftuar Kuvendin se gjyqtares të Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, i përfundon mandati me 24 qershor 2021. Ndërkohë është shpërndarë Legjislatura VII dhe Kuvendi nuk ka arritur të ndërmarrë veprime. Me fillimin punës së Legjislaturës VIII, do te fillohet me procedurën e zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës për Reporteri.net.
Ndërkaq, Kushtetuesja përmes Zyrës për Informim, kanë thënë se Rama-Hajrizi do të zëvendësohet në pozitën e të parit të kësaj gjykate brenda afateve të parapara ligjore.
“Zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet brenda afateve të përcaktuara”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
Rregullorja e Gjykatës Kushtetuese përcakton se “zgjedhja për Kryetar dhe për Zëvendëskryetar mbahet një muaj para skadimit të mandatit të Kryetarit dhe të Zëvendëskryetarit në detyrë”.
“Në rast se posti mbetet menjëherë i zbrazët, zgjedhja për Kryetar duhet të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe Zëvendëskryetari ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm deri në hyrjen në fuqi të mandatit të Kryetarit të ri. Në rast se nuk ka Zëvendëskryetar, gjyqtari me përvojën më të gjatë ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm. Nëse një ose më shumë gjyqtarë kanë kaluar kohë të njëjtë në Gjykatë, atëherë gjyqtari më i vjetër për nga mosha konsiderohet gjyqtari me përvojë më të gjatë për qëllim të këtij rregulli”, thuhet në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese.
Zëvendëskryetar i Kushtetuese është Bajram Ljatifi, i cili është zgjedhur gjyqtar në këtë gjykatë në vitin 2018.
Kujtojmë që gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit për një mandate nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.
E përveç se duhet të jenë jurist të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, gjyqtarët e Kushtetueses duhet të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvoje profesionale përkatëse.
Ndër vite është raportuar për politizim të procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses. Përveç afërsive me partitë politike, mediat kanë raportuar edhe për gjyqtar të dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërkaq Rama-Hajrizi para se të emërohej në Gjykatën Kushtetuese ishte pjesë e misionit diplomatik duke ushtruar detyrën e Konsullës së Përgjithshme të Konsullatës së Kosovës në New York. Gruaja në krye të Kushtetueses ishte pjesëmarrëse në grupin e ekspertëve në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Krahas kësaj, Rama-Hajrizi do të mbahet mend edhe për mos prononcim në media për punën e Gjykatës Kushtetuese.