Kushtetuta e Kosovës nuk është libër i shenjtë! Për t’u funksionalizuar shteti i Kosovës, ajo duhet të ndryshojë!
Kushtetuta e Kosovës e ka burimin tek Pakoja e Ahtisaarit, rrjedhimisht është një kompromis i madh i shqiptarëve të Kosovës në këmbim të pavarësisë së vendit. Kjo kushtetutë nuk buron nga vullneti popullor e as nuk është hartuar nga ekspertët tanë juridik e kushtetues. Thjeshtë është produkt i presionit ndërkombëtar që përmes pranimit të parimeve të Pakos së Ahtisaarit do të pranohemi nga Serbia.
Kur dëgjon në këtë ditë të flitet me një lloj shenjtërie për kushtetutën nuk e din njeriu se a po ndodh kjo për shkak të amnezisë politike kolektive, apo nën ndikimin e faktit se jemi po ashtu në mesin e dy festave fetare. Sigurisht përderisa është në fuqi Kushtetuta duhet të respektohet sepse kështu e kërkon parimi i sundimit të ligjit dhe rendi demokratik. Por po ashtu e vërtetat duhet të thuhet dhe të diskutohet gjerësisht.
Kosova ka mungesë të funksionalitetit mu për shkak të aranzhimeve kushtetuese. Këtu flitet për kushtetutë qytetare e multietnike, ndërsa të gjitha zgjidhjet që ajo ka bërë sidomos për pakicën serbe janë etnike. Privilegjet të cilat iu kanë dhënë pakicës serbe kanë bërë që në vazhdimësi edhe nën ndikimin e Beogradit zyrtar të shfrytëzohen për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës.
Për më tepër në vend se të shfrytëzoheshin bisedimet me Serbinë për të krijuar rrethana për ndryshimet kushtetuese, përmes së cilave do të hiqeshin privilegjet bllokuese të përfaqësuesve politik të pakicës serbe, ne jemi dëshmitarë të një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do ta rëndojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës duke u shtuar peshë këtyre privilegjeve bllokuese kushtetuese përmes krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe një pozite të privilegjuar juridike për Kishën Ortodokse Serbe.
Kështu tani do të ballafaqohemi me një trinom të mekanizmave tanë të brendshëm përmes së cilës Serbia do ta luftojë funksionalitetin e republikës sonë.
Andaj detyrë primare e politikës sonë do të duhej të ishte të gjente rrugën për ta ndryshuar këtë kushtetutë e jo për ta betonizuar atë. Në vend të kësaj politika jonë dhe në rastin konkret, qeveria e prirë nga Albin Kurti, pa përjashtuar dëmet e shkaktuara edhe nga qeveritë paraprake, ia ka komplikuar edhe më tej jetën funksionimin shtetit të Kosovës.
Bisedimet me Serbinë, kanë qenë mundësi për të hapur rrugën që Kosova të vendoste vetë se çfarë kushtetute do të ketë pa kufizimet e tanishme, por për momentin ky rast u lëshua. Në vend se të insistohej në reciprocitetin me Kosovën Lindore, u insistua që njohja të jetë në qendër të bisedimeve. Në vend se të insistohej në idenë e ripërcaktimit të kufijve u insistua në integritet territorial.
Në vend se të insistohej në zgjidhje që hapin rrugë ndryshimeve kushtetuese dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës u insistua në mos ndryshimin e saj.
Pra gjithandej insistime populliste kundër zgjidhjeve funksionale. Dhe në fund as njohja nuk erdhi dhe zgjidhjet që po vijnë e komplikojnë edhe më tej funksionalitetin e shtetit tonë. Sidoqoftë e vërteta duhet të thuhet: Kushtetutat nuk janë të shenjta!
Për t’u funksionalizuar shteti i Kosovës, kjo kushtetutë duhet të ndryshojë! Rruga e vetme është rikthimi në tryezën e bisedimeve të projektit të vetëm të drejtë dhe që zgjidh problemin shqiptaro-serb në Ballkan atë të ripërcaktimit të kufijve.