Kushtetuesja publikon aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Trajko Stojkoviq

Prishtinë | 27 Gus 2025 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI187/23,
të parashtruar nga Trajko Stojković, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i
kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Pejë,
përkitazi me lëndën C.nr.112/09.

Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se nuk
ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafit 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të
rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një
gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm kohor; dhe (iii) të refuzojë
kërkesën për mbajtje të seancës dëgjimore publike.

Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin që
parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Pejë më 12 shkurt
2009 për vërtetimin e pronësisë së banesës, për të cilën i njëjti pretendon se është pronar në
bazë të Kontratës së shitblerjes [VR.nr.2239/95], të 28 prillit 1995 dhe se e paditura S.K., pa
bazë ligjore dhe në mënyrë të paligjshme, sipas autorizimit të falsifikuar, e ka bartur në emër
të saj pronësinë e banesës.

Pas disa seancave të mbajtura në vitin 2011 në Gjykatën
Komunale, parashtruesi i kërkesës kërkoi pezullimin e procedurës derisa të mund t’i sillte
disa prova nga jashtë shtetit. Gjatë viteve 2014 dhe 2015 u mbajtën disa seanca gjyqësore dhe
më 16 shtator 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.346/13] e aprovoi
kërkesëpadinë dhe e detyroi S.K. t’ia njohë të drejtën e pronësisë parashtruesit të kërkesës,
duke ia dorëzuar banesën në shfrytëzim të qetë.

Pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga e paditura, Gjykata e Apelit e prishi aktgjykimin e shkallës së parë përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1395/16] të 9 dhjetorit 2020 dhe rastin e ktheu në rigjykim dhe rivendosje. Në rigjykim, Gjykata Themelore mbajti seancën e parë më 26 maj 2021 dhe më pas edhe 11
(njëmbëdhjetë) seanca të tjera. Më 12 janar 2024, Gjykata Themelore e refuzoi
kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për shpalljen si të pavlefshme të kontratës së
shitblerjes së banesës [Ov.nr.2375/2003], me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës kishte
dështuar të provojë të drejtën e pronësisë mbi banesën, e që është në realitet lokal afarist dhe
se në kadastër evidentohet si ndërtesë në bashkëpronësi me pjesë të përbashkëta. Më pas,
parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila deri në momentin e
vendosjes së këtij rasti është ende në shqyrtim.

Në vijim Aktgjykimi sqaron se, në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, parashtruesi pretendoi
që kohëzgjatja e procedurës gjyqësore për më shumë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, përbën
shkelje të parimit të gjykimit “brenda një afati të arsyeshëm”, garantuar me paragrafin 2 të
nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të
nenit 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi
parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur
me të drejtën për vendim brenda një afati të arsyeshëm dhe më pas aplikoi të njëjtat në
rrethanat e rastit konkret. Së pari, Gjykata sqaroi se e drejta për një vendim brenda një afati
të arsyeshëm është pjesë përbërëse e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e
garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Bazuar në praktikën
gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së, Gjykata gjithashtu sqaroi se arsyeshmëria e
kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore matet duke u bazuar në këto kritere kryesore: (i)
ndërlikueshmëria e rastit, (ii) sjellja e palës, (iii) sjellja e autoriteteve shtetërore, dhe (iv)
rëndësia e asaj se çfarë është në rrezik për palën në kontestin gjyqësor.

Përkitazi me ndërlikueshmërinë e rastit, Gjykata vlerësoi se çështjet të cilat kanë të bëjnë me
vërtetimin e pronësisë mund të jenë të komplikuara dhe jo të lehta për t’u zgjidhur.
Megjithatë, bazuar në rrethanat e rastit, provat e paraqitura dhe numrin jo të madh të
dëshmitarëve të propozuar, Gjykata vlerësoi se rasti në fjalë nuk mund të konsiderohet i
ndërlikuar për t’u vendosur. Përkitazi me sjelljen e palës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i
kërkesës që nga parashtrimi i padisë ishte treguar aktiv dhe i interesuar gjatë gjithë
procedurës gjyqësore, dhe nuk mund t’i atribuohen vonesat veprimeve të tij, me përjashtim
të periudhës kohore kur kishte kërkuar ndërprerjen e procedurës, periudhë të cilën Gjykata
nuk e llogariti në vlerësimin e kohëzgjatjes. Lidhur me veprimet e organeve kompetente në
procedurën e lartpërmendur, Gjykata vuri re se gjykatat e rregullta që nga momenti i vënies
në lëvizje ishin aktive në gjykimin e çështjes, ku gjatë gjithë periudhës që është objekt
vlerësimi para Gjykatës, ishin nxjerrë gjithsej tetë (8) vendime gjyqësore. Në këtë aspekt,
Gjykata theksoi se gjykatat e rregullta ishin aktive në gjykimin e çështjes dhe rrjedhimisht
nuk kanë shkaktuar kohëzgjatje të paarsyeshme të procedurës.

Marrë parasysh aplikimin kumulativ të kritereve të lartcekura, Gjykata përfundimisht
konstatoi se, lidhur me pretendimin për kohëzgjatjen e procedurës, parashtruesi i kërkesës
nuk ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për
gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, sepse faktet e paraqitura nga ai nuk dëshmojnë
që gjykatat e rregullta ia kanë mohuar të njëjtit të drejtën për një vendim brenda një afati të
arsyeshëm kohor. Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se nuk ka shkelje të nenit 31 [E Drejta për
Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 (E drejta për
një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Të ngjashme