Fadili është personazhi kryesor, rrëfimi i të cilit përcillet në filmin e Ismet Sijarinës “Nëntor i ftohtë”. Ai portretizohet nga aktori i njohur kosovar, i cili jeton në Amerikë, Kushtrim Hoxha. Paraqitja e tij në këtë film ia solli atij edhe çmimin e parë në karrierë.
Të shtunën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në festivalit ndërkombëtar “Bosphorus Film Festival” ai mori çmimin e aktorit më të mirë. Juria e vlerësoi për “mënyrën e interpretimit dhe qasjen origjinale”. “Nëntori i ftohtë” u shfaq në kuadër të edicionit të gjashtë të festivalit, i cili zuri vend prej datës 26 tetor deri më 3 nëntor në Stamboll. Ky është suksesi i dytë për filmin, pas triumfit në “Zurich Film Festival” muajin e kaluar, ku mori çmimin e audiencës. Premiera botërore e tij u shfaq më datën 27 të muajit shtator në festivalin e kategorisë “A” në San Sebastian të Spanjës, në edicionin e 66-të.
Për nëntë ditë në këtë festival u shfaqën 88 filma nga 41 shtete të ndryshme të botës.
Projekti filmik “Nëntori i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “AUDIOHAUS” dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.
Në rolet kryesore paraqiten, përveç Hoxhës, edhe: Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Skenarin e filmit e kanë shkruar Arian Krasniqi e Ismet Sijarina.