Kushtrim Sheremeti jep dorëheqje nga posti i drejtorit të Teatri Kombëtar

Prishtinë | 02 Jan 2026 | 20:32 | Nga Ekonomia Online

Kushtrim Sheremeti ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK).

Sheremeti ka thënë për KALLXO.com se më 26.12.2025 ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të TKK-së dhe përmes emailit e ka njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

“Po, më datën 26.12.2025 kam informuar përmes emailit MKRS-në për dorëheqjen time! Në rrethana të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira të punës, jam krenar për sukseset e arritura në Teatrin Kombëtar të Kosovës gjatë kësaj periudhe.”- ka thënë Sheremeti për Kallxo.

Sheremeti ka thënë se tërheqjen e tij nga ky post e kishte vendosur qysh në maj të vitit 2025. Por, siç tha ai, vendosi  dhe qëndrojë  në detyrë me këmbëngulje që, pavarësisht sfidave, Festivali “Moisiu” të organizohej në Prishtinë, që siç tha ai, u organizua me shumë sukses.

“Ky ishte motivi im kryesor dhe pas realizimit të tij (Festivalit ‘Moisiu’) ndihem plotësisht i përmbushur. Për periudhën e mbetur nuk kisha çfarë të jap më shumë, edhe sikur rrethanat të ishin krejtësisht tjera andaj edhe kam vendosur të tërhiqem nga pozita dhe ishte vendim personal, i mirë menduar dhe besoj edhe i drejtë.”- tha ai.

Sheremeti ka thënë se pas tërheqjes nga posti i drejtorit të TKK, karrierën da t’a vazhdojë me projekte në teatër, televizion dhe film.

“Koha dhe konteksti gjithmonë i qartësojnë gjërat, andaj besoj se detajet janë të parëndësishme në këtë moment, e rëndësishme është mirëqenia dhe suksesi i Teatrit Kombëtar të Kosovës. I falënderoj gjithë stafin e TKK dhe bashkëpunëtorët, për një eksperiencë unike, ndërsa unë do të vazhdoj me projekte tjera në teatër, televizion dhe film.”- ka shtuar Sheremeti. /Kallxo

Të ngjashme