Përfaqësuesit e gjimnazit “Ulpiana” në bashkëpunim me Drejtorinë komunale të Arsimit në Lipjan kanë nxjerrë një rregullore, e cila obligon të gjithë nxënësit t’i paguajnë nga 3 euro për sigurim privat dhe për riparim të defekteve teknike që ndodhin brenda objektit të shkollës.
Për këtë projekt, janë pajtuar edhe këshilli i prindërve në këtë shkollë me qëllim që të parandalohen dukuritë negative, mirëpo këshilltarët e KK-së kanë kundërshtuar atë me arsyetim se ky projekt mund të realizohet me buxhet të Komunës. Argjend Tasholli, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se gjatë periudhës së fundit kohore ka pranuar disa ankesa nga prindërit rreth kësaj takse për roje fizike.
Sipas tij, përfaqësuesit e shkollës duhet ta adresojnë një kërkesë zyrtare për ta punësuar një roje fizike me qëllim të rritjes së sigurisë, por në asnjë mënyrë nuk duhet t’i obligojnë një mijë e 500 nxënës t’i paguajnë nga 3 euro për këtë çështje.