Kuvendet komunale kërcënojnë me bojkot nëse u zvogëlohen pagat

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 08:50 | Nga

Ndryshimet e parapara me Projektligjin për pagat, në lidhje me koeficientin e pagave dhe mëditjeve, janë kundërshtuar nga anëtarët e kuvendeve komunale, si dhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), shkruan sot “Koha Ditore”.

Me këto ndryshime është ndryshuar (zvogëluar) koeficienti midis kohës sa ishte në debat publik me palët dhe kohës kur ka shkuar për miratim në Qeveri.

Kështu, përderisa kishte një pajtueshmëri që anëtarët të kishin një pagë mujore prej 325 eurosh, si dhe të drejtën e pagës së plotë në vendin e tyre të punës, në Qeveri është ndryshuar kjo çështje dhe është lënë që anëtarët e KK-ve që kanë një pagë nga institucionet e vendit të kenë të drejtë në marrjen vetëm të mëditjes prej 89 eurosh.

Kurse ata që nuk punojnë në institucione të kenë të drejtën të marrin edhe pagë mujore prej 239 eurosh.

Por nëse projektligji do të miratohet në këtë formë, kuvendet komunale paralajmërojnë bojkot të punës. Drejtues të tyre thonë se zvogëlimi i të ardhurave të anëtarëve të KK-ve do të ndikojë në degradimin dhe varfërimin me kuadro të asambleve komunale.

Sazan Ibrahimi nga AKK-ja ka thënë se paga bazë e anëtarëve të kuvendeve komunale është zvogëluar dukshëm në krahasim me projektligjin e diskutuar dhe darkoduar me këtë institucion.

“Edhe pas angazhimit maksimal të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) përmes Këshillit të kryetarëve dhe kolegjiumeve profesionale, paga bazë e anëtarit të Kuvendit të Komunës do të jetë me koeficient 1.25, kurse vlera e koeficientit është 239 euro”, ka thënë Ibrahimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme