Shefja e Grupit të Deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Kuvendi i Kosovës do të nxjerrë një rezolutë në lidhje me ngjarjet në Ukrainë, ku do të bëhet i qartë qëndrimi i Kosovës kundër ndërhyrjes ushtarake të Rusisë.
Ajo tha se rezoluta është propozuar nga AAK-ja, dhe se aty duhet të prezantohet qëndrimi i Kuvendit, i unifikuar nëpërmjet rezolutës.
Ajo theksoi se duhet të dallohen vendet që dolën pro NATO-s dhe pro BE-së, me vendet që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë – sikur Serbia.
“Të prezantohet qëndrimi i Kuvendit, i unifikuar në një rezolutë të përbashkët, që synon të kërkojë nga mekanizmat e BE-ja që të bëhet qartë dallimi mes shteteve që u rreshtuan pro NATO-s dhe BE-së, dhe vendeve që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë, si rasti i Serbisë. Nuk mund të trajtohen njëjtë vendet pas rastit në Ukrainë”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo i bëri komentet pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten, më 3 mars, në orën 10:00, në seancë të rregullt plenare, ndërkaq të shtunën, më 5 mars, në orën 12:00, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbajë seancë solemne. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca.
Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e të enjtes Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, si dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.14/62 datë 23.02.2022, për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Në këtë seancë, po ashtu pritet të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidateve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe ai për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komunitetet joshqiptare.