Dyert e Kuvendit të Kosovës janë hapur sot për bashkatdhetarë, të cilët nga vende të ndryshme shprehën interesimin për të parë nga afër hapësirat, ku deputetët zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Për shkak të pushimit sezonal, në të cilën ndodhet aktualisht kuvendi, numri i deputetëve që pritën bashkatdhetarët, ishte i vogël, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u bëri thirrje kolegëve të saj që të vijnë në kuvend e të presin bashkatdhetarët.
“E keni pa paralajmërimin që ka qenë prej orës 10, kuvendi nga e hëna ka shkuar në pushim, deputetët që janë këtu, së pari do të vijnë të takojnë bashkatdhetarët. Unë mora një libër nga Halit Elshani, nga një bashkatdhetar që jeton në Bruksel, ka punuar gjatë atje për t’i integruar fëmijët e tij dhe për t’i kthyer Kosovës atë të kthimit të kuadrove të bijve dhe bijave. Gëzohem kur takojë njerëz të tillë” tha Musliu.
Halit Elshani nga Belgjika, që vizitoi kuvendin, tha se gjendja në Kosovë s’është e keqe sa thuhet.
“ Mua më vjen keq që nuk ka mërgimtarë, nuk ka edhe kuvendarë, ne mezi po presim të vijmë, me na fol mirë, e jo ku të shkosh me na fol keq, thua jemi më keq së herëve tjera. Po bëhet një propagandë e keqe, po na demton kjo, ne kemi qejf që kur vijmë të shohim mirë”.
Për t’u takuar me bashkatdhetarë erdhi edhe deputeti i LDKsë, Armend Zemaj. Ai tha se në Kosovë nuk janë realizuar pritjet e tyre.
“ Është një ndër ditët që organizon kuvendi, dëshira vullneti do të ishte e shumicës së deputetëve, angazhimet zyrtare kanë përfunduar, kam ardhur të takohem me miq nga diaspora t’i njoftojmë me punën që bëhet në kuvend”, deklaroi Zemaj.
Selim Mezini nga Suedia pret nga deputetët të punojnë edhe më shumë për zhvillimin e vendit.
“është hera e parë po na duket mirë edhe pak normal po e ndjen veten pak si I ngushtuar këtu. Mirë parlamenti na pëlqyer brenda ka skena që janë më interesante me i pa. Jemi të kënaqur për punën që bëhet në Kuvend, na presim gjithë prej kuvendit , prej deputetëve ta çojnë Kosovën përpara”, tha Mezini.
Kuvendi do të jetë i hapur për vizitorë nga diaspora sot dhe nesër.
Kuvendin e Kosovës e vizitoi edhe 17 vjetari nga Gjakova, Serafin Dushi. Ai tha se salla e Kuvendit nga afër është shumë më ndryshe sesa që paraqitet në media. Dushi ftoi edhe bashkëmoshatarët e tij që të vijnë dhe të shohin nga afër sallat e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.