Kuvendi i Ferizajt mori vendim që të ndahen 200,000 euro për luftën kundër CoronaVirusit

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Në ambientet e Teatrit “Adriana” me respektimin strikt të udhëzimeve të profesionistëve shëndetësor, distancës sociale e masave tjera mbrojtëse u zhvillua seanca e parë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës ku u mor vendimi për ndarjen e mjeteve në shumën prej 200,000 eurove në mbështetje të luftës kundër pandemisë COVID-19.

Në fjalën e tij adresuar anëtarëve të Kuvendit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu paraqiti një përmbledhje të masave që ka marr ekzekutivi i Komunës, Shtabi Emergjent në përballimin e kësaj situate.

“Fjalimin tim dua ta nis me një fjalë: FALEMINDERIT! Faleminderit ferizajasve që po japin shembull anekënd vendit për respektimin e masave mbrojtëse. Faleminderit mjekëve e infermierëve që po mbajnë shërbimin shëndetësor gati për t’u përballur me më të keqen masive të shekullit – Virusin Covid 19 apo i njohur si Corona Virusi. Faleminderit policëve, zjarrfikësve e trupave të sigurisë që çdo rrugë e anë të Ferizajt shpërfaqin uniformën e mbrojtjes e sigurisë sonë. Faleminderit biznesmenëve, furrtarëve, punonjësve të marketeve, farmacive, gazetarëve, donatorëve individual e grupor me materiale mbrojtëse shëndetësore, që dhanë pa më të voglin dyshim, provimin e solidaritetit të tyre e përkushtimit për qytetarin në këto ditë kërcënimi nga kjo virozë. Këta janë heronjtë prej vërteti! Tek këta kemi drejtuar sytë e po i besojmë jetën tonë. Falenderim e mirënjohje në emër të të gjithë ferizajasve! Sot, qeveria ime – përveç masave të ndërmarra deri më tani e ndjen të nevojshme të shtoj mbështetjen për institucionet shëndetësore, për qytetarët në nevojë, e për çdo mungesë eventuale në ditët tona të ardhshme të betejes.Andaj, pa asnjë mëdyshje, me vullnetin e plotë që shembulli i Ferizajt për menaxhimin e kësaj situate të lartësohet e ndiqet edhe anëve tjera, iu propozova që të ndahet fondi prej 200,000.00€ për secilën armë në dobi të luftës sonë kundër CoronaVirusit” tha mes tjerash, Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ku veç tjerash elaboroi veçanërisht masat e ndërmarra nga qeveria lokale si dhe falënderoi të gjithë kontribuesit që kjo situatë të tejkalohet më lehtë e pa pasoja në mesin e qytetarëve tanë.

Diskutime pati edhe nga anëtarët e Kuvendit të të gjitha subjekteve politike. Me votat e të gjithë të pranishmëve për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Komunës i dha dritën jeshile propozimit të Kryetarit Aliu që të ndahen 200,000 euro në luftë kundër CoronaVirusit.

Të ngjashme