Në kuadër të organizimit “Ditët e Arbëreshëve në Kosovë”, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur mbledhje e veçantë për nder të tyre. Aty u vlerësua lart kontributi i tyre për ruajtjen e traditës, kuturës, dhe gjuhës shqipe, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se ndjehet i lumtur për ardhjen e arbëreshëve në Kosovë, duke thënë se këta janë shembujt më të mirë qe askush nuk mund t’i pushtojë shqiptarët që të humben gjurmët e tyre.
“Ju jeni shembulli me i mirë se nuk ka pushtues për shqiptarët, ishit pishtar të rilindjes kombëtare dhe u bashkuat për të i rikthyer tokat shqiptare edhe sot kur Shqipëria dhe Kosova kanë filluar rrugën për në BE ju jeni përkrahës”, tha Gashi.
Përfaqësuesi i arbëreshëve, Rosario Petta tha se ndarja mes tyre dhe shqiptarëve të këtushëm ekziston vetëm gjeografikisht, pasi që më venat e tyre ka gjak shqiptari.
“Arbëreshët nuk janë popull qe dorëzohet lehtë qe gjunjëzohet para vështirësive dhe pas 530 viteve flasim gjuhën tonë dhe fëmijët tanë e flasin këtë gjuhë, atë arbëreshe. Italia dhe Kosova janë larë por sot ne e ndjejmë vetën në shtëpinë tonë, ndjehem në shtëpinë e vëllait tim që vetëm gjeografikisht është larg meje por qe ka në vena gjakun arbresh”, shtoi ai.
Kontributin e tyre në ruajtjen e vlerave kombëtare po e vlerësojnë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Kur shohim njerëz si ju me këto veshje që keni ruajtur vlerat arbresh jo vetëm nga natyre por gjithë ky zotërim tregon më shume se mirënjohje atë që ju për 6 shekuj me radhë ruajtët vlerat dhe trashëgiminë”, tha deputeti Armend Zemaj.
Deputeti Nait Hasani tha se shqiptarët nuk dorëzohen lehtë, dhe kjo është dëshmuar edhe me luftën e fundit nga Kosova u bë shtet i pavarur.
“Pas luftërave të gjata e të mundshme dhe luftës së fundit kemi arritur ta kemi sot një shtet të pavarur, për këtë kemi mbështetje edhe të Italisë, njohja e Italisë është ndër njohjet e para që ka treguar se jemi aleat dhe afër kemi të kaluar të përbashkët”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se ky takim dëshiron të jetë si pikënisje e kontakteve dhe se takimet e tilla me arbëreshët pritet të bëhen tradicionale, raporton EO.
“Ju arritët që 6 shekuj ta ndani brez pas brezi nëpërmjet durimit, gjuhës, traditave, zakoneve, besimit dhe riteve fetare. Qëndresa e juaj ka bërë të jeni rast unikal në botë dhe të jeni një pasuri e rrallë jo vetëm për albanologjinë por edhe trashëgiminë kulturore botërore”, tha Kollçaku.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se arbëreshët dhe kosovarët duhet të bashkëpunojnë edhe më tej në mënyrë që të mos vije deri tek asimilimi ku gjuha më nuk njihet.
Ndërsa deputetja nga Partia Socialdemokrate, Shqipe Pantina tha se shpreson se një ditë këta arbëreshë të bëhen liderë në Itali.