Kuvendi i Kosovës po e shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke i hapur dyert për vizitorët.
Ndërtesën e “të zgjedhurve të popullit” sot e vizituan edhe nxënës të shkollave të ndryshme, për të cilët u ndanë dhe çmime.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se qytetarët e Kosovës kanë dhënë shumë për demokracinë.
“Qytetarët e Kosovës janë krenarë që po e shënojnë këtë ditë. Ne kemi dhënë shume për këtë ditë si popull, e kemi arritur një sukses si gjeneratë”.
Politikani Veseli u shpreh se politikanët (e tjerë) duhet të jenë më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve për shkak se qytetarët iu kanë besuar atyre, duke ua dhënë votën.
“Nuk ka forcë e as nuk ka qellim që na ndal drejtë rrugës tonë të forcimit të shtetit ligjorë të demokracisë dhe shtetit tonë të pavarur dhe sovran”, ishte porosia tjetër e Veselit.
Drejtori i USAID-it, James Hope, i cili mori pjesë në shënimin e kësaj dite në Kuvend, theksoi se për të është kënaqësi pjesëmarrja dhe e përgëzoi Kuvendin për këtë iniciativë.
“Është kënaqësi për mua të marr pjesë, është kënaqësi të ju bashkëngjitëm juve medieve në këtë ditë ndërkombëtare të demokracisë, Kuvendi është vendi me i duhur ku duhet te mbahet kjo dite, prandaj e përgëzoj iniciativën e Kuvendit, ju faleminderit per partneritetin dhe do t’ju mbështesim edhe me tutje”.
Ismet Kryeziu nga KDI-ja tha se Kuvendi i Kosovës ka rritur transparencën ndaj qytetarëve, Kuvendi ka arritur të aranzhoj rreth 400 hulumtime parlamentare që do t’iu shërbejnë të jenë më konkurruese, dhe të bëhet mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe përfshirja e qytetarëve.
Kurse pas ndarjes së çmimeve të nxënësve fitues nga deputetë dhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pa e ftuar në foltore fjalën e mori deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Faton Topalli.
Ai tha se “në Kosovë kemi demokraci vetëm një ditë, sot, e 364 të tjera jo”.
“Sot është dita e demokracisë, një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën sidomos për faktin që ne për 364 ditë nuk kemi demokraci dhe vetëm një ditë është demokraci. Urojmë që të angazhohem për demokraci, dua të iu përkujtoj se Glauk Konjufca kryetari i grupit parlamentar të VV, dy deputet të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje janë në masa policore”, tha Topalli