Kuvendi i të Rinjve të Kosovës ka shënuar 10-vjetorin e themelimit të saj. Mundësi për të u ulur në karriget e deputetëve të Kosovës, sot i patën edhe të rinjtë e kuvendit të të rinjve, raporton Ekonomia Online.
Në një fjalë rasti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, tha se tashmë kjo ministri ka filluar plotësim-ndryshim e Ligjit për të Rinjtë.
Kreu i MKRS-së tha se kanë rritur buxhetin për 100% për të përkrahur të rinjtë.
“Jam i nderuar që jam sot pjesë e festimit të 10 vjetorit të kuvendit të rinjve një mekanizëm i fuqishëm. Është me rëndësi që organizata rinore përkatësisht mekanizmat rinor të kenë qëndrueshmëri e kuvendi i të rinjve ka pas një vijueshmëri të vazhdueshme sot më shumë se kurrë është fuqizuar në 20 komunat e Kosovës”.
“Është me rëndësi për mua si ministër, por edhe për institucionet që të kemi mekanizma të tillë. Tash më jemi qindra projekte që janë duke u impelementuar për të rinjtë. Ne kemi filluar plotësim-ndryshim Ligjit për të Rinjtë dhe ky ligj ka ardhur nga kërkesat dhe nevojat e të rinjve në teren. Do jeni pjesë e trajtimit të ligjit për rini. Kemi lëvizje të buxhetit pothuajse 100 për qind në programet rinore”.
Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, tha se sa më shumë të rinjtë e ngrisin zërin për të drejtat e tyre aq më shumë rritet përgjegjësia institucionale.
“Ky aktivizim i juaj është një domosdoshmëri e kohës. Unë e vlerësoj punën e juaj. E pashë punën tuaj dhe ta iu them të drejtën me xhelozi pak, mendoj që më shumë paraqit ju aktivitete se sa kuvendi e qeveria bashkërisht. Sa më shumë që ju e ngritni zërin për të drejtat e juaja atëherë edhe përgjegjësia jonë rritet shumë më shumë”.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Arsim, Rini dhe Sport, Ismajl Kurteshi, tha se të rinjtë e Kosovës duhet ta kërkojnë perspektivën e tyre në vendin e tyre.
“Ju patjetër që duhet të angazhoheni që të rinjtë që janë kategoria më e margjinalizuar ta zënë vendin aty ku e kanë. Kërkesë konkrete për të rinjtë është investimi në arsim dhe ngritja e cilësisë së arsimit. Sado që duken joshëse të dalat jashtë vendit ju garantoj se nuk ka më mirë që ta kërkoni perspektivën tuaj ta shtroni këtu në Kosovë”.
Kurse kryetari i kuvendit të të rinjve Kastriot Luma tha se të gjithë këta të rinj kanë nevojë për përkrahje në iniciativat e tyre.
“Ka ndryshuar mendësitë dhe ka ndërruar gjenerata ky 10 vjetor ai kurrë më parë na gjen masovikisht të organizuar. Ky vit na gjen me shumë aktivitete në shumë komuna. Ky është momenti ku Kosova ka më së shumti nevojë për ne”.
“Nëse me të vërtetë duam të kontribuojmë atëherë kemi disa mënyra si përmes konkurrencës dhe vullnetarizmit. Duke u zhvilluar si individ duhet të promovojmë edhe disa vlera. Me këto burime njerëzore që kemi na duhet vetëm edhe pak cilësi. Gjithë këta të rinj kanë nevojë për përkrahje në iniciativat e tyre. Edhe iniciativa e Ministrit Gashi për plotësim-ndryshim të ligjit për të rinjtë është e mirëseardhur”.