Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur mbledhjen e rregullt me ç’rast Me 24 vota për, 16 kundër dhe 1 abstenim asamblistët miratuan buxhetin prej 87 milionë euro për vitin 2019.
Agim Gashi, në emër të grupit të asamblistëve të LDK-së, tha se në buxhet nuk janë përfshirë probleme jetike për qytetarët e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
“Dokumenti i kornizës afatmesme buxhetore, pjesa e 1019 nuk përputhet me kornizat buxhetore që na janë prezantuar në dokumente. Do të duhej që mbrëmë të përgatitej edhe korniza buxhetore. Në pasqyrat buxhetore për 2019 mungojnë disa projekte jetike për Komunën e Prishtinës”.
Egzon Azemi, asamblist i VV-së, tha se do të duhej të mbaheshin tubime publike para hartimit të buxhetit.
“Vetë ekzektutimi do të duhej ta heqte prej rendit të ditës buxhetin dhe do të duhej të mbaheshin tubime publike me qytetarë. Të gjitha partitë që e konsiderojnë veten besnike ndaj qytetarëve të mos e votojnë këtë buxhet. Shpendi vetëm po viktimizohet, bonu burrë”.
Sami Boroci nga AKR-ja tha se është pro buxhetit, derisa komentoi që ky është buxheti më i madh që komuna ka pasur.
“Duhet me iu gëzu kësaj rritje të buxhetit sepse është buxheti më i madh që kemi pasë. Kemi projekte shumë të mëdha tek investimet kapitale, mirëpo ndoshta duhet të ndante më shumë buxhet në këtë pjesë”.
Leutrim Retkoceri nga PDK-ja tha se plani i buxhetit ka hapësirë për përmirësime, mirëpo që, sipas tij, PDK-ja do të veprojë në interes të qytetarit.
“Në lexim të parë ky buxhet e ka një përmbajtje, por e cila duhet plotësim, ka hapësira që duhet të mbuloheshin edhe më mirë. Ky buxhet nuk i ka në fokus investimet kapitale që i duhen Prishtinës apo te arsimi 600 mijë euro për çerdhe. PDK është në koalicion me qytetarin dhe do të jemi konstruktivë në këtë pikë”.