Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për Buxhetin 2018

Prishtinë | 21 Dhj 2017 | 19:00 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, mbajti sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Kadri Veseli, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Në këtë mbledhje, kryesia shqyrtoi kërkesën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Konform kërkesës, u vendos që seanca e jashtëzakonshme të mbahet të premten, më 22 dhjetor 2017, në orën 14:00, në të cilën do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Veseli theksoi se me këtë seancë përfundon sesioni vjeshtor i punës së Kuvendit.

“Do të kemi seancë të jashtëzakonshme për buxhetin dhe do shkojmë në pushimin e dimrit. Në kryesi u diskutua vetëm pika që ka kërku kryeministri, seancë për kalimin e buxhetit në lexim të dytë”, tha Veseli.

Ndërsa, Armend Zemaj nga grupi parlamentar i LDK-së tha se kryesia nuk pati mirëkuptim në dy kërkesat e LDK-së, për të mbajtur seancë për raportin e punës 100 ditore të qeverisë Haradinaj si dhe seancë për diskutimin e sjelljes së ministrit Dardan Gashi.

“Grupi parlamentar i LDK-së ka kërkuar shqyrtimin e raportit 100 ditësh të qeverisë dhe kërkesën e protokuluar të kryeministrit të Kosovës për të mbajtur seancë për sjelljen e një ministri. Kryesia nuk ka pas mirëkuptin për me diskutu këtë duke thënë se jemi fund të sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit. Insistimi jonë ishte të kemi edhe dy seanca plenare ku do të shqyrtohej raporti 100 ditësh dhe të mos zgjatet interpelanca nga ana e kryeministrit për sjelljen e ministrit Dardan Gashi”, tha Zemaj.

 

Të ngjashme