Kuvendi mbështet kërkesën e protestuesve për pastrimin e listave të veteranëve

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Pas takimit në Kuvendin e Kosovës me dy këshilltarë të kryeparlamentarit Kadri Veseli, njëri prej të cilëve ishte Ilmi Ramadani, veterani Faik Zogaj ka bërë të ditur se vetëm kërkesa për pastrimin e listave të veteranëve u pranua nga ta.

Sipas Zogajt, ai nuk mori përgjigje për kërkesën për lirimin e Sylejman Selimit dhe për shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezit, raporton Ekonomia Online.

“Kuvendi prej tri kërkesave e ka mbështetë vetëm njërën, atë të pastrimit të listës së veteranëve”.

“Dy kërkesat e tjera, atë të lirimit të Sylejman Selimit dhe shkarkimit të Lumezit nuk dhanë asnjë koment. Unë dola pak prej kontrollës në kuvend, por nuk kam faj pasi që unë po kërkoj të drejtat e mia”.

Zogaj i dha kohë 30 ditë Prokurorisë për të ngritur aktakuzë për veteranët e “rrejshëm”, raporton EO.

“Brenda 30 dite nëse Prokuroria nuk ngrit aktakuzë për veteranët e falsifikuar ne do të veprojmë. Kjo është protesta e fundit sa i përket veteranëve”.

Ai tha se do të veprojnë dhunshëm nëse nuk zbatohet kërkesa e tyre për pastrimin e listave.

“Rrugët ligjore jemi që tri vjet duke i ndjekur, nëse ka drejtësi bëhet pastrimi i listave. Veprimet tona nuk mundemi me i bo publike. Nuk kemi tjetër zgjidhje, duhet me vepru dhunshëm nëse nuk zbatohen kërkesat. Nëse nuk zbatohet kërkesa për pastrimin e listave ne do t’i pastrojmë listat vetë dhe e dimë se si t’i pastrojmë”, tha Zogaj.

Të ngjashme