Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se Kuvendi do të mblidhte të enjten për të vazhduar me mbajtjen e seancës së përfunduara, raporton Ekonomia Online.
Ai ka konfirmuar se PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, por që shtoi se do të jetë vështirë që të votohen projektligjet në rend dite.
“Të enjten do të jetë vazhdim i seancës së pa përfunduar tash e dy javë. Ju e dini se që dy seanca sesioni vjeshtor nuk po arrin të fillojë për shkak të mungesës së numrave nga mazhoranca. Ne do t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, por në çështjet e projektligjeve ku kërkohet shumicë e thjeshtë normalisht që nuk do të marrim pjesë. Ka një shthurje të madhe brenda LVV sa i përket numrave”.
Shefi i deputetëve të PDK-së, tutje foli edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti, ku tha se “nuk duhen të merren seriozisht çfarë thotë Kurti”.
“Në këtë periudhë nuk duhet të merret asgjë shumë seriozisht çka deklaron Kurti. Ai është në një fushatë zgjedhore, është në përfundim të mandatit, tash duhet me pas parasysh sikletin dhe presionin që ka në këtë periudhë sepse nuk po arrin të përfundoj asnjë projekt”.
Tahiri, shpreson që ndërkombëtarët nuk do të shtojnë sanksione të reja ndaj Kosovës, si shkak i masës së vendosur ndaj produkteve serbe.
“Sa i përket CEFTA, janë bërë 10 vite që Kosova është bërë pjesë e saj, pas 10 viteve kemi arritur në një pikë që Kosova po rrezikohet”.
“Unë shpresoj, që komuniteti ndërkombëtar ta ndalin shtimin e sanksioneve ndaj vendit tonë dhe besoj që vendit do t’i japim një Qeveri të re, e cila di t’i jap zhvillim ekonomik dhe frymë të re vendit”.