Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe atë për për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Pas miratimit të këtyre ligjeve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka treguar se çka parashihet me këto ligje.
Ministria ka thënë se Ligji i ri për Skemat Pensionale parasheh që pensionistëve t’u llogaritet periudha nga koha kur janë larguar nga puna e deri më 1 janar 1999, drejt plotësimi të kushtit prej 15 vitesh.
“Miratimi i këtij projektligji i hap rrugë reformës pensionale në vend, duke krijuar një sistem pensional solidar e të barabartë 🤝, i cili garanton pensione stabile e kujdeset për pensionistët”, thuhet në njofim.
Në lexim të dytë është miratuar mbrëmë edhe Ligji për Tatimin në pronën e paluajtshme.
Sipas MFPT’së, ky ligj parasheh edhe lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.
“Kuvendi ka miratuar sot në lexim të dytë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Pronën e Paluajtshme dhe Projektligjin për Skemat Pensionale. Ligji i ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme parasheh: mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro; lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore; kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor; zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025”, thuhet në njoftim.