Në seancën e sotme të Kuvendit dy herë u tentua të votohet Projekt-kodi Penal i Republikës së Kosovës, por nuk kishte pjesëmarrje në votim, edhe pse, sipas nënkryetarit Xhavit Haliti, janë mbi 61 deputetë në sallë por nuk po votojnë.
Xhavit Haliti u bëri thirrje grupeve parlamentare që të diskutojnë me deputetët e tyre që të votojnë pro apo kundër këtij projektligji, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se janë 86 kartela të vendosura, por po votojnë vetëm 55 deputetë.
Edhe pse Haliti gjatë seancës së sotme ka paralajmëruar që deputetët në orën 15:30 të marrin pjesë në votim përndryshe do t’u hiqen mëditjet.
Gjatë votimit për herë të tretë, Kuvendi miratoi në parim Projekt-kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në votim morën pjesë 62 deputetë. 58 votuan për, dhe pati 4 abstenime.
Në votimin e Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz morën pjesë 75 deputetë. Pasi që të gjithë votuan për, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Kompleksin Memorial.
Kuvendi miratoi edhe raportin vjetor të Agjencisë kundër Korrupsionit me 59 votua për, 11 kundër dhe 6 abstenime.
Në votimin e rezolutës nga interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e 1 milion eurove për KOSTT-in morën pjesë 73 deputetë.
Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga LDK-ja me 57 vota për dhe 16 kundër.