Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në seancën e nesërme, në rend dite do të jetë rezoluta në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj.
Sipas njoftimit, ky rend dite vjen pas dakordimit mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
“Pas dakordimit midis grupeve parlamentare, në seancën e nesërme të Kuvendit të Republikës së Kosovës (3 mars 2022), e cila do të fillojë në orën 10:00, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe ‘Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus’”, thuhet në njoftimin e kuvendit.
Kujtojmë se sot, luftimet në mes Rusisë dhe Ukrainës kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa Kosova ka dhënë mbështetjen e saj për 20 gazetarë ukrainas, duke ua mbuluar të gjitha shpenzimet e banimit dhe të punës.